Ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch, ka thënë se BE duhet të përfshihet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës pasi që sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta zgjidhin atë çështje vetë, njofton Insajderi.
Ai ka deklaruar se këto dy vende duhet të bashkëpunojnë në një temë kaq komplekse e që ka të bëjë me Evropën dhe zgjerimin në Ballkan.
“Unë do të doja që BE-ja dhe SHBA-ja të bashkëpunojnë në një temë kaq komplekse, e cila ka të bëjë me Evropën dhe është e rëndësishme për bashkimin e ardhshëm të Evropës, domethënë zgjerimin në Ballkan. Shpresoj që kjo të ndodhë”, ka thënë Petritsch.
Petrisch deklaron se ai nuk beson që SHBA-ja mundet të zgjidh këtë qështje vet, dhe se BE-ja është e nevojshme që të marrë pjesë në implementimin e çdo marrëveshje në mënyrë që ajo të zbatohet.
“Unë mendoj se është një model i administratës Trump. Ata duan të arrijnë normalizimin, por pyetja është nëse është e mundur për ta arritur atë kaq shpejt. Unë jam skeptik në lidhje me këtë, dhe duhet të kihet parasysh se zbatimi i çdo marrëveshjeje duhet të zbatohet nga BE-ja” , tha Petritsch, duke kujtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duan të anëtarësohen në BE dhe jo në Shtetet e Bashkuara. /Insajderi.com