Diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën gjatë viteve 1998-99, ka komentuar lidhur me letrën e dërguar nga presidenti amerikan, Joe Biden për homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Insajderi.
Në një intervistë për REL në gjuhën serbe, Petritsch tha se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që është fjalë kyçe, për SHBA-në do të thotë njohje diplomatike nga Serbia për Kosovën.
”Biden donte të dërgonte edhe një herë mesazhin me këtë letër se Shtetet e Bashkuara janë me vendet që e kanë njohur tashmë Kosovën”, ka thënë Petritsch.
“Ky është një hap më tej në gjuhë krahasuar me fjalorin e përdorur nga BE si ndërmjetës në dialog”, shtoi tutje ai.
“Beogradi beson se njohja e Kosovës nuk është pjesë e procesit të normalizimit, ndërsa pozicioni i Shteteve të Bashkuara është i ndryshëm”.
“Pyetja kryesore tani është nëse BE, si ndërmjetës në dialog, është e gatshme të bëjë një hap përpara. Kur Kosova të formojë një ekip negociator pas zgjedhjeve duhet të vazhdohet hap pas hapi. Do të jetë një rrugë e gjatë, një maratonë e vërtetë dhe në atë dialog duhet përafruar pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit. Është e vetmja rrugë pragmatike përpara”, tha ish-i dërguari i BE-së. /Insajderi.com