Pezullohet nga puna drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit

Pezullohet nga puna drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit

Drejtori Ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, është pezulluar nga puna, njofton Insajderi.

Vendimi për pezullimin e Morinës nga pozita e tij prej drejtori është marrë nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Në vendim thuhet se “pas vlerësimit të performancës së dikastereve të MEA-s janë konstatuar shkelje në ushtrimin e funksionit të drejtorit ekzekutiv, Ilir Morina”.

Shkak për këtë sipas vendimit është se “Morina ka dështuar të përmbushë përgjegjësinë e tij, në sigurimin e zbatimit të rekomandimeve nga raportet e auditimit”.

“Ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve të MEA-s, gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare dhe ka treguar neglizhencë gjatë bashkëpunimit me menaxhmentin e MEA-s”, thuhet tutje në këtë vendim. /Insajderi.com