Pezullohet tenderi 106 milionësh i Pal Lekajt

Pezullohet tenderi 106 milionësh i Pal Lekajt

Ministrisë së Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga Pal Lekaj, i është pezulluar megatenderi i fundit që “peshon” hiç më pak se 106 milionë euro për ndërtimin e Autoudhës Banullë (Lipjan)- Dheu i Bardhë.

“Front Online” javën e kaluar nga nxjerrë në opinion këtë “masakër me buxhetin” të ministrit në largim Pal Lekaj, i cili ka shpallur tenderin qindra milionësh, ndonëse është në ditët e fundit të mandatit të tij dhe njëherit Kosova nuk e ka të miratuar as buxhetin e vitit 2020.

Ky njëherit ka qenë tenderi i tretë më i madh për nga vlera financiare, përpos atij të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”, i shpallur nga Ministria e Infrastrukturës deri më tani.

Vendimi për pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit, për Ministrinë e Infrastrukturës, është bërë për shkak të ankesave të dy kompanive: “Jaha Company SHPK” dhe “2A Group SHPK”.

Kriteret e përcaktuara në dosje të tenderit janë “përjashtuese” për kompanitë vendore dhe favorizojnë ato rajonale dhe ndërkombëtare.

Në vendimin për pezullimin e tenderit thuhet se ky proces do të zgjas deri në shqyrtimin e ankesave të operatorëve ekonomik.

Përndryshe, sipas dosjes së tenderit, më 13 janar 2020, Ministria e Infrastrukturës ka publikuar njoftimin për kontratë me titull: Ndërtimi i Autoudhës A7, kryqëzimi në disnivel A6, Autostrada A7 Banullë-Dheu i Bardhë, pjesa e udhëkryqit Bresal-Dheu i Bardhë.

Ky tender është i ndarë në katër lote: Loti i parë është mbi 7 kilometra, loti i dytë është 5.1 kilometra, loti i tretë është 6.4 kilometra dhe loti i katër është 6.2 kilometra.

Bazuar në vlerën e përgjithshme të projektit prej mbi 110.6 milionë, vlera e një kilometri Autostradë të shpallur së fundi nga Pal Lekaj do t’i kushtoj buxhetit të Kosovës rreth 4.5 milionë euro.

Për shpalljen e këtij tenderi nga ministri Pal Lekaj, i cili është në fund të mandatit të tij, ka pasur reagime edhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend.