‘Pishmanët’ e PDK-së

‘Pishmanët’ e PDK-së

Abelard Tahiri do të vazhdojë ta drejtojë Ministrinë e Drejtësisë me kërkesë të kryetarit të partisë (PDK), Kadri Veseli, ndonëse ditë më parë ia kishte ofruar dorëheqjen kryeministrit Ramush Haradinajt. PDK-ja nuk i ndërroi as dy ministrat tjerë në ekzekutiv, Besim Beqajn dhe Bedri Hamzën.

Emrat e këtyre të fundit u lakuan se gjithashtu mund të dorëhiqen, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ndonëse ka ofruar dorëheqjen e tij para pak ditësh, një gjë të tillë nuk e ka pranuar shefi i partisë së tij (PDK), Kadri Veseli.

Një vendim i tillë i Veselit ka bërë që Tahiri të tërhiqet përfundimisht nga dorëheqja, me premtimin se do të vazhdojë të jetë në krye të Ministrisë. Ndërkohë, se do të jepnin dorëheqje ishin lakuar edhe emrat e dy ministrave të tjerë të PDK-së, Besim Beqaj e Bedri Hamza, porse si “kundërpërgjigje” ndaj kësaj, gjatë ditës së djeshme, Veseli publikoi një fotografi bashkë me ta, ku indirekt tregoi se nuk bëhet fjalë për dorëheqje të tjera.

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se zhvillimet e fundit brenda Qeverisë shpërfaqin “betejën” mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veselit mbi kontrollimin e PDK-së.

Sipas tyre, vendimi i Tahirit për dorëheqje ka ardhur nga Thaçi, kurse Veseli siç thonë ata, ka refuzuar ta pranojë dorëheqjen e Tahirit, me qëllim që ta dëshmojë fuqinë brenda subjektit që drejton. Pavarësisht këtyre turbulencave, përfaqësuesit e AAK-së shprehen të vendosur se Qeveria është duke e vazhduar punën siç duhet. Ndërkaq, përfaqësues të Nismës vlerësojnë se në momentin kur mazhoranca e humb fuqinë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.