Pjesëtar i “grupit kriminal” sipas aktakuzës së Speciales: Reagon Limaj

Pjesëtar i “grupit kriminal” sipas aktakuzës së Speciales: Reagon Limaj

Një ndër zyrtarët e përmendur si pjesëtarë të “grupit kriminal” në aktakuzën e Gjykatës Speciale, është edhe kreu i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, njofton Insajderi.

Limaj ka reaguar lidhur me publikimin e emrit të tij në aktakuzën e konfirmuar nga Specialja ndaj ish- krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në lidhjet e tij direkte nëpër emisione, Limaj tha se kur ndërtohet një aktakuzë përmenden dhjetëra emra, meqë bëhet fjalë për një proces të gjatë.

“Natyrisht që kur ndërtohet një aktakuzë përmenden dhjetëra emra. Kur kam qenë në Hagë janë përmend diku 60 emra të pjesëtarëve të ndryshëm të UÇK-së, sepse jemi duke folë për një proces të gjatë”, tha Limaj në T7.

Ndërsa, në prononcim për ‘Rubikon’, ai tha se çështja për të cilën dhe është formuar Gjykata Speciale, ”trafikimi i organeve”, nuk figuron në aktakuzën e ngritur.

”Në krejt atë çka pashë tani. A ka aty diku trafikim të organeve? – Aty është tema. Krejt çka keni aty, janë raste të gjykuara. Pjesëtarët e UÇK-së, kanë qenë në procese gjyqsore. Është grumbullim i të gjitha atyreve për këto vjet, duke iu ngjeshur tre, katër njerëzve. Prej Llapashticës e deri në Jabllanicë. Është një përmbledhje e të gjitha këtyre rasteve. Përmendja e emrave në brenda të aktakuzës, është krejt normale”, ka thënë Limaj.

Përveç Fatmir Limajt, pjesë e këtij grupi konsiderohet të jenë edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci. /Insajderi.com