PK-ja dhe policia zvicerane me operacion në Prishtinë e Gjakovë, ngrihen prona dhe llogari bankare

PK-ja dhe policia zvicerane me operacion në Prishtinë e Gjakovë, ngrihen prona dhe llogari bankare

Policia e Kosovës njofton se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunimin e shtetin zviceran ka zhvilluar një operacion të bastisjeve në katër lokacione, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme si: kontrata, fatura dhe dokumentacione tjera përcjellëse.

Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar në tri lokacione në Regjionin e Gjakovës dhe një në Regjionin e Prishtinës.

“Operacioni është zhvilluar me urdhëresë të gjykatës Themelore në Prishtinë/Departamenti Special, pas  kërkesës së pranuar nga autoritete policore të shtetit të Zvicrës, në bashkëveprim me një ekip hetuesish dhe një prokuror nga Shteti i Zvicrës, nëpërmes ndihmës juridike ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën për media.

Në rajonin e Gjakovës, PK-ja njofton se janë bastisur dy shtëpi me objekte përcjellëse dhe një zyrë projektuese, ndërsa në Prishtinë është bastisur një banesë.

Në këtë rast është sekuestruar edhe një veturë e tipit “Mercedes” me targa vendore pronë e të dyshuarit H.B., 64-vjeçar.

“Gjykata kompetente në lidhje me rastin ka shqiptuar masën për parandalimin e shitjes së pronave (dy shtëpive dhe një banesë) dhe ngrirjen e llogarive bankare të të dyshuarave”.

Dy persona (H.B. dhe A.B.) janë të dyshuar për veprat penale ”Pastrim i Parave”, “Mashtrim” dhe “Falsifikimi i Dokumenteve“ bazuar në legjislacion penal të shtetit të Zvicrës dhe rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit./Insajderi.com