Policia e Kosovës njofton se rreth orës 21:45 minuta në fshatin Sallagrazhdë të Suharekës, gjatë një ahengu familjar në oborrin e shtëpisë, është plagosur një grua nga arma e zjarrit.
“Sipas hetuesve që kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer hetime thuhet se një i dyshuar kishte shtënë me pistoletë në ajër mirëpo një plumb e gishte goditur ballkonin e shtëpisë dhe kishte ndërruar kahe me ç’ rast e ka plagosur një femër në këmbë”, thuhet në njoftim.
Viktima fillimisht ka pranuar ndihmë mjekësore në një ordinancë private në Suharekë e më pas është udhëzuar për trajtim në Spitalin Rajonal në Prizren.
“Në vendin e ngjarjes policia e ka sekuestruar një pistoletë e prodhimit kroat, modeli HS-9 e kalibrit 9×19 dhe katër gëzhoja. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalët nën masën e arrestit policor”, thuhet në njoftimin e policisë.