Plani ambicioz i Lladrovcit sikur në Tiranë

Plani ambicioz i Lladrovcit sikur në Tiranë

Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci ka njoftuar qytetarët e Drenasit se një liqen artificial do të ndërtohet në territorin e kësaj komune, konkretisht në fshatin Vërboc. Një liqen i tillë është ndërtuar në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, shkruan Insajderi.

“Lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e komunës së Drenasit! Sot, mora konfirmimin zyrtar nga Këshilli për Investime, se Komuna e Drenasit do ta ketë liqenin e vet artificial, ujëmbledhësin që është planifikuar të ndërtohet në Vërboc. Falënderoj të gjithë bartësit e përgjegjësive të nivelit qendror dhe zyrtarët komunal për punën në këtë projekt, përkrahjen e këtij projekti, për këtë sukses që Drenasit dhe Drenicës, i ofrohet një portë e re për zhvillim dhe ngritje e mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Lladrovci.

Lladrovci ka shtuar se ky projekt do të jetë i një rëndësie të madhe, për shkak se sipas tij, do të sigurohet uji për qytetarët e Drenasit.

“Ky është projekt madhor dhe me rëndësi strategjike, së pari sigurohet uji i pijes për Drenas dhe disa fshatra të Drenicës, por përfiton edhe bujqësia, turizmi e fushat tjera prodhuese dhe shërbimeve. Gjithsesi, ndikon në ngritjen e cilësisë së jetës, po ashtu, edhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Faleminderit të gjithë kontribuuesve për këtë projekt! Gëzuar qytetarë të Drenasit!”, ka përfunduar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.