Plani i Qeverisë është “jo i zbatueshëm”

Plani i Qeverisë është “jo i zbatueshëm”

Plani i Qeverisë së Kosovës, i diskutuar edhe të hënën në Kuvend, nuk ka kurrfarë kornize kohore, statistika dhe plan buxhetor, për realizimin e prioriteteve të shfaqura si synime katër vjeçare.

Duke qenë i tillë – pa statistika e pa afate kohore – Drejtori i Institutit “Musline Kokalari”, Visar Ymeri, thotë se “nuk është as i zbatueshëm”.

Ymeri, në një përgjigje Gazetën Online Insajderi, shtoi se jo zbatueshmëria e tij vjen si pasojë e faktit se nuk është i ndërtuar “në formatin e dokumentit ekzekutiv”.

Insajderi ka tentuar të marrë përgjigje për këtë mungesë afatesh e linjash buxhetore edhe nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësja e qeverisë, Valbona Mehmeti, ka kërkuar t’u dërgohen pyetjet në formë të shkruar, por përgjigjet nuk kanë ardhur në asnjë formë, as pas disa orësh.

Në programin qeverisës 57 faqesh, që u prezantua në ditën e 55 të qeverisjes Kurti ll, përmenden prioritete të ngjashme me ato që janë kumtuar gjatë fushatës zgjedhore për votimet e 14 shkurtit.

Skemat Sociale, Fondi Zhvillimor, Banka Zhvillimore, lidhja e tregut me arsimin.

Qeveria ka premtuar rritje buxheti, pasi 2 miliardë e 412 milionë euro nuk mjaftojnë – aq buxhet sa ka Kosova për vitin 2021.

Kreditë dhe shitja e bonove – janë dy mekanizmat të cilat ekzekutivi thotë se do t’i përdorë për qasje në kapital.

“Por qeveria duhet ta bëjë një kalkulim të qartë të mundësisë së rritjes së borxhit publik dhe kalkulim të qartë të kthimit nga këto investime në mënyrë që të mund të kthehet ky borxh publik”, tha Ymeri për Insajderi.

Për borxhin publik ditën kur u prezantua programi i Qeverisë në Kuvend, kishte kritika edhe ish-ministri Financave, Bedri Hamza. Përmendi deficitin buxhetor me diçka që mund të përballet ekonomia e Kosovës.

Por, Kurti nuk e ka përmendur mundësinë deficitit buxhetor – është zotuar për përmirësim të bilancit tregtar e rritjen e punësimit.

Në këto synime, sipas Ymerit, ka një trend të stimulimit të subvencionimit përmes rritjes së vëllimit të financave publike, e që, sipas tij, e bën dallimin e këtij programi nga ato të qeverive të kaluara.

“Edhe pse në nivel synimesh dhe paqartësi zbatimi, këto financa thuhet se do të orientohen kah rritja e punësimit (subvencionimi i pagës për të punësuarit e rinj) por edhe kah rritja e prodhimit e eksportit të mallrave me qëllim të përmirësimit të bilancit tregtar”.

Nga kjo rritje e vëllimit të financës publike, do të krijohet edhe Banka Zhvillimore, duke u bazuar në dokumentin qeveritar.

“Por as në këtë rast, Programi nuk jep ndonjë afat ose mënyrë se si dhe kur do të themelohet banka. Por edhe në këtë rast nuk ka fare detajizim të afatit kohor se kur dhe si do të zbatohet një Institucion i tille financiar”, pohoi Ymeri.

Përpos ekonomisë në këtë dokument përmenden edhe një mori çështjes nga menaxhimi i pandemisë COVID-19 e deri te dialogu me Serbinë. /Insajderi.com