Lideri i partisë e cila doli e treta në zgjedhjet e 11 qershorit ka dalë me një ofertë të re. Kundër PDK-së por as me ndonjë shprehje të përafrimit me Vetëvendosjen. Inati se PDK-AAK-NISMA dhe VV e kanë rrëzuar, vazhdon ende.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kryeministri në ikje i një Qeverie e cila u rrëzua me votat e PDK-së dhe Vetëvendosjes që dolën partia e parë dhe e dyta në zgjedhjet e fundit, ka qit në pah një plan “hakmarrës” për të dy partitë.
PDK-ja me kryetar Kadri Veseli, deputetët e të së cilës parti votuan pro rrëzimit të Qeverisë së drejtuar nga Mustafa, është në koalicion me AAK-në dhe NISMA-n e cila inicioi mocionin për rrëzimin e Qeverisë.
Të gjitha së bashku si koalicion PAN janë mandatarë për krijimin e Qeverisë. Kadri Veseli është i përfoluri për kryetar Kuvendi.
Isa Mustafa nuk ia ka harruar gjithë këtë histori të freskët dhe përsëri,11 ditë para se të mbahet seanca e parë e Kuvendit të Kosovës.
“Është qëndrim i LDK-së të mos votohet Kadri Veseli për Kryetar të Kuvendit. Nuk do ta votojnë as deputetët e këtij koalicioni nga AKR dhe Alternativa”, ka shkruar Mustafa.
Por Mustafa nuk e ka ndërmend që t’ia harrojë as Vetëvendosjes, votën kundër Qeverisë së tij.
“Qëndrim unanim i Këshillit të Përgjithshëm se përgjegjësinë për themelimin e institucioneve e kanë subjektet e renditura para LDK-së. Ato që u organizuan bashkë për ta rrëzuar qeverinë e drejtuar nga LDK-ja”, shkroi Mustafa, duke aluduar në koalicionin PAN dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Kësisoj Mustafa tregoi se do të pres edhe Vetëvendosjen për të formuar Qeverinë nëse PAN dështon, duke mos lënë të kuptohet se nuk ka ndonjë marrëveshje ose përafrim të partisë së tij me Vetëvendosjen.
E nëse PAN dhe Vetëvendosje dështojnë ta formojnë Qeverinë e Kosovës, ai ka thënë se LDK-ja do të dalë me një ofertë të re.
“Në qoftë se ato dështojnë apo nuk mund të bëjnë këtë, atëherë LDK do të japë ofertën e vet, por gjithnjë pa PDK-në”, ka shkruar Mustafa.
PAN me Ramush Haradinaj dhe Vetëvendosje me Albin Kurtin janë dy partitë e para që pretendojnë të themelojnë Qeverinë e re të Kosovës./Insajderi.com