Plazma, Argeta, Red Bull-i dhe një grup njerëzish të dyshimtë në AQP

Ne, në Insajderi, kemi raportuar gjatë tërë ditës për skandalin e madh të Agjencisë Qendrore të Prokurimit. Presioni publik dhe institucional detyrojë shefat e kësaj Agjencie që ta korrigjojnë tenderin. Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Ata duhet të japin përgjegjësi për veprimet skandaloze të tyre.

Plazma, Argeta, Red Bull-i dhe një grup njerëzish të dyshimtë në AQP

Nëse Prokuroria e Shtetit do të ishte një institucion serioz, në këto momente do të ishte ndërprerë vikendi për një grup shefash të Agjencisë Qendrore të Prokurimit.

Në mungesë të prokurorit që do ta bënte këtë, shefat e AQP-së mund të jenë duke u kënaqur në skijim apo duke e rrotulluar ndonjë kingj. Ka gjasa që ndonjëri prej tyre ka vendosur që të shfrytëzojë një kënaqësi tjetër që ofron vikendi: Kotjen në gjumin e pasdites.

Nuk do të duhej të ishte kështu. Ata janë të dyshuar për kryerjen e një krimi të madh dhe do të duhej të ishin duke u intervistuar nga një prokuror.

Ata duhet të japin përgjegjësi për skandalin 23 milionësh të Agjencisë Qendror të Prokurimit.

Skandali i madh kishte disa nën skandale në vete. Duke nisur nga favorizimi i produktit serb Plazma, shkelja e barabarësisë në tender duke specifikuar emrin e produktit “Argeta”, porosia e çuditshme e pijeve energjike “RedBull”, si dhe fakti që AQP-ja tërë këtë skandal e quan “gabim teknik”.

AQP-ja më 14 janar të këtij vitit hapi tenderin për furnizim të institucioneve publike me një numër të madh produktesh. Zakonisht tenderët e tillë bëhen për të furnizuar burgjet e spitalet me produktet e nevojshme.

Skandali i parë ishte ky: Në tender kërkohej furnizimi me biskota, por cekej saktësisht se duhet të jenë “Plazma ose ekuivalente”.

Paradoksalisht, një institucion shtetëror favorizonte produktin serb dhe dëmtonte prodhuesit vendor. Kjo bëhej pikërisht në kohën e vendimit qeveritar për taksë 100 përqind ndaj produkteve serbe.

Presioni publik i mediave si Insajderi dhe ai institucional bëri që AQP-ja ta shfuqizojë vendimin për favorizimin e Plazma’s.

Por, tërheqja e tyre nuk është e mjaftueshme.

Në reagimin e tyre ceken se ky ishte një “gabim teknik”, pasi që kishin përdorur shabllonin e vitit 2015, kohë kur nuk ishte në fuqi taksa kundër Serbisë.

Duke u arsyetuar për skandalin e ri, shefat e AQP-së konfirmuan se kishin marrë vendime skandaloze edhe në vitin 2015.

Treguan se edhe atëkohë sikurse këtë vit kishin favorizuar disa kompani private.

Kjo agjenci ka shkelur parimin e barabarësisë në tenderet publike, duke i shënuar në dosjen e tenderit kërkesat  specifike si “ Argeta ose ekuivalente”, “ Plazma ose ekuivalente”, “ Redbull ose ekuivalente”, “Divello ose ekuivalente”, e të ngjashme.

Për këtë arsye, duhet të hapet hetim nga prokurorët. Të zbulohet saktë se cfarë kanë përfituar këta shefa nga pronarët dhe përfaqësuesit për Kosovë të brendeve si “Argeta”, “ Plazma”, “Divello”, “Redbull”, etj.

Një skandal tjetër brenda kësaj skeme është edhe ky: Blerja e 2 mijë e 100 pijeve”RedBull”.

Është e kuptueshme që shteti blenë pashtetë, biskota, djathë dhe produkte të ngjashme për nevoja të spitaleve e burgjeve.

Nuk dihet ende se kush është ai i çmendur që ka vendosur që të blejë Red Bulla me taksa të qytetareve.

Meqë tash u zbulua, sigurisht shefat e AQP-së edhe për këtë do të dërgojnë një njoftim dhe do të theksojnë se ishte një gabim teknik.

Por, Prokuroria e Shtetit dhe Qeveria e Kosovës nuk duhet të mjaftohen me kërkim faljen e disa zyrtarëve të dyshimtë, të bërë pas zbulimit të skandalit.

Qeveria duhet të ndërmarrë masat e duhura, përfshirë edhe shkarkimin e menaxhmentit. Ndërsa për prokurorët besoj që tashmë kanë nisur që ta hetojnë rastin. Ndryshe, duhet shkarkuar edhe ata.