Plenkoviq me letër për Kurtin: I lumtur që do të takohemi përsëri në Forumin e Bledit

Plenkoviq me letër për Kurtin: I lumtur që do të takohemi përsëri në Forumin e Bledit

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, i ka dërguar letër homologut të tij nga Kosova, Albin Kurtit, në të cilën është shprehur i lumtur që do të takohen personalisht në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, më 1 shtator, transmeton Insajderi.com.

Plenkoviq thotë se takimi i tyre i fundit ishte pas aksidentit të autobusit kosovar në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona.

“Takimi jonë i fundit i shkurtër në Slavonski Brod u mbajt nën hijen e aksidentit të tmerrshëm me autobus që mori jetët e dhjetë kosovarëve gjatë rrugës së tyre për pushime verore në vendlindje”, ka shkruar Plenkoviq.

Kryeministri kroat e ka njoftuar homologun kosovar se sipas informatave të Ministrisë së Shëndetësisë, 44 kosovarë të aksidentuar kanë marrë trajtim në spitalet kroate, dhe se 43 prej tyre ose janë liruar pas shërimit ose janë dërguar drejt spitaleve në Gjermani apo në Kosovë.

Ndërsa shtoi se një person është ende nën mjekim intensiv.

Duke i shprehur keqardhje për këtë rast, kryeministri kroat ka uruar që aksidenti i tmerrshëm të shërbejë si “përkujtim i lidhjeve tona të forta që i kemi ndërmjet vete që rezultuan në bashkëpunim natyror dhe efikas ndërmjet dy qeverive tona”. /Insajderi.com