‘Pluhun, kijamet’ – Qytetarët e Obiliqit ankohen për erë të rëndë dhe tym

‘Pluhun, kijamet’ – Qytetarët e Obiliqit ankohen për erë të rëndë dhe tym

Në komunën e cila nuk është as dhjetë kilomentra larg kryeqytetit të Kosovës, tash e sa ditë qytetarët po përballen me erë të rëndë dhe tym që vije nga termocentralet e KEK-ut. Ajri i ndotur i cili po ndodhë si shkak i një përzierje të tymit, pluhurit dhe hirit, ka edhe një erë të rëndë, i cili po ua ngacmon frymarrjen qytetarëve.

Musa Asllani i cili është banor në këtë komunë po thotë se dita-ditës është bërë e vështirë jetesa në këtë vend. Sipas tij, ditëve të fundit është vërejtur një tym më i theksuar.

“Pluhun, kjamet, ajër i ndotur, pa pastërti, nuk e di qysh po jetojmë ne në komunë të Obiliqit. Kanë dhënë premtime, nuk ka asgjë as prej Qeverisë, as prej askujt….Qeveria është fajtor, po kush tjetër, kryetari i komunës, Qeveria edhe drejtori i KEK-ut, i cili është kompetent për të ngjitur filterat e pastrimit të ajrit, ata nuk ngjitën asnjëherë dhe del tymi pa filtrim, e ne e thithim krejt, pastaj sëmundjet”, thotë ai.

I frustruar për neglizhencën e institucioneve po del të jetë edhe Mehmet Gashi, po ashtu banor i Obiliqit.

“Po ka tym, e po janë tonat, krejt udhëheqësia i ka fajet, krejt kryesia i ka fajet… Ka më shumë, e ka gjithë, po krejt udhëheqësia fajet i ka”, shprehet Gashi.

Në lidhje me këtë, në një përgjigje dhënë KosovaPress-it, drejtoresha e Ambientit në komunën e Obiliqit, Fitore Hashani ka mohuar të ketë pasur ankesa sa i përket tymit. Sipas saj, këto ditë është duke u punuar në riparimet e Kosovës B, dhe se mund të ketë zhurmë gjatë pasdites.

“Ne nuk kemi asnjë ankesë këtyre ditëve sa i përket tymit. E dëshmojnë edhe raportet e Institutit Hidrometeorologjik e edhe raportet e KEK, ndërsa ne jemi në procedurat tenderuese të Laboratorit Mobil, i cili do të bëjë matjet e ndotjes në komunën tonë dhe deri atëherë gjithçka e kësaj fushe është në harmoni me ligjet në fuqi nga MMPH-ja. Në këtë dhjetë ditësh të fundit kemi pasur në intervalet e pasdites kryesisht më shumë zhurmë, kjo si pasojë e riparimeve që po ndodhin në TC”Kosova B”, por që ne si komunë po jemi të informuar me kohë për zhvillimet që do të ndodhin. Ndërsa për vitet në vazhdim në presim mirëkuptim nga KEK të krijoj brezin e gjelber si dhe të vazhdoj në investimet në ambient bazuar ne kërkesat e komunitetit si dhe ligjet ne fuqi”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Obiliqit.