Po gjykohet UÇK-ja

Po gjykohet UÇK-ja

Shkruan:  Fitim Salihu

“Nga lufta vijmë, në luftra shkojmë / në zjarr e tym na shkoi kjo jetë. / Gjithmonë drejt luftrash shtegëtojmë / siç shtegëtojnë drejt dimrit retë”. Me këto vargje Kadareja i jep siparin poezisë së tij, “Kënga e ushtarëve të vjetër”. Në fakt, është kënga e një populli të tërë. Është kënga e krejt Kosovës. E Kosovës viktimë.

Kosova ka qenë viktimë jo vetëm në luftën e fundit, por për 86 vite; jo vetëm viktimë e krimeve, por edhe e spin-doktorëve të propagandës antishqiptare. Kosova dhe shqiptarët kanë qenë kavje eksperimentesh çnjerëzore të regjimeve serbe që nga viti 1913. Masakrat çnjerëzore ndaj shqiptarëve janë dokumentuar që prej memoareve të Tucoviqit e Trockit dhe gjer tek raportimet e medieve ndërkombëtare më 1998 e 1999. Por, siç thotë Ligji i parë i Njutonit në fizikë, çdo trup është në gjendje të qetë deri sa mbi të nuk vepron një forcë rezultante. Thënë ndryshe: presioni e shkakton reaksionin.

 

Si pasojë e presionit shtetëror, shqiptarët u orvatën të organizoheshin në rezistencë. Për 86 vite rezistenca e tyre u shtyp me gjak. Përfundimisht, historia e krejt rezistencave u amplifikua në luftën e fundit dhe në Ushtrinë Çlirimtare. Ajo ishte reaksion ndaj presionit. Ajo ishte viktima që vendos të rebelohet. Ajo ishte skllavi i Hegelit që e përmbys dialektikën mes vetes dhe pronarit. Ajo është ngjarja më e madhe në historinë politike të Kosovës që nga Lidhja e Prizrenit. Ajo është ngjarje me N të madhe.

 

Por, njëzet vite më vonë, Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar (që tok njihen me shprehjen metonimike “Gjykata Speciale”) janë sfida e radhës. Të mërkurën e 24 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri publike aktakuzat ndaj ish-Drejtorit Politik të UÇK-së, Hashim Thaçit, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm, Kadri Veselit dhe tetë personave të tjerë, emrat e të cilëve nuk u përmendën (këtu lind dyshimi fillestar – përse u përmendën vetëm dy figura me peshë politike). Por, para se të ishte një aktakuzë ajo ishte një pamflet politik, një fletërrufe që më së paku të linte shijen se është shkruar nga juristë profesionistë. Shkresa publike me automatizëm të bënte të ngritësh shumë pikëpyetje.

Përse ajo u publikua dy muaj pas dërgimit në Dhomat e Specilizuara dhe tri ditë para negociatave të Uashingtonit? Nëse akuzohet dikush për 100 vrasje, siç pretendon kjo deklaratë, a nuk do të ishte kjo e mjaftueshme që të akuzohet dikush pa bërë abrakadabra politike dhe shou mediatik? Ku bazohet pretendimi për tentativa të reja për zhbërjen e Dhomave të Specializuara? Përse nuk u ngritën aktakuzat kur ka pasur më herët tentativa të atilla? Përse duhej të përmendeshin interesat personale të të akuzuarve? A është vepër penale të kesh interes zhbërjen e Dhomave të Specializuara? Me këtë logjikë, nënkuptohet që është e vepër penale që të kesh interes edhe nga ekzistenca e tyre. Prej kur prokuroritë vendosin se çfarë është interes shtetëror i një vendi? A është kjo kompetencë e organeve të drejtësisë? A i ka miratuar Kuvendi i Kosovës Dhomat e Specializuara që të ofrojnë konsulencë falas për interesat e popullit të Kosovës apo që t’i zbardhin krimet e pretenduara? A paraqet shkelje etike publikimi i emrave të të akuzuarve pa u konfirmuar aktakuza ndaj tyre? A nuk deklaronte vetë Prokurori i Specializuar në prill 2020 se përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale gjer në ditën e konfirmimit?

Vetë Nevenka Trompi, avokate, ligjëruese dhe ish-hulumtuese e Tribunalit të Hagës, ka thënë së fundmi se mënyra e publikimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është precendent që rrënon reputacionin e Zyres, duke shtuar se akuzat që rëndojnë ndaj Thaçit e Veselit nuk i kishte përdorur as vetë Milosheviqi gjatë procesit të tij gjyqësor në Hagë.

2.

Ardeshir Zahedi ka qenë ish-ministër i jashtëm i Monarkisë Iraniane në kohën kur kjo sundohej nga Shahu Mohamed Pahlavi. Ai njëherazi ka qenë dhëndërr i Shahut, duke qenë i martuar me princeshën Shahnaz Pahlavi – të bijën e Shahut nga martesa e tij e parë me princeshën shqiptare, Favzije Fuadin, pasardhësen e mbretit të Egjiptit, Mehmet Ali Pashës.

Kur më 1979 ndodhi Revolucioni Iranian që shpini në rrëzimin e monarkisë së shahëve dhe në shpalljen e Republikës Islamike të ajatollahëve, edhe Ardeshir Zahedi, një nga eksponentët më eminentë të regjimit të Shahut, u detyrua të ikte nga Irani.

Për shkak të regjimit të ajatollahëve, tani e 40 vite, Ardeshir Zahedi nuk ka pasur mundësi që ta shoh atdheun e vet. Për më tepër, përgjatë këtyre viteve, në shumë raste, regjimi iranian është munduar që të kryente atentat ndaj tij, tekqë ai ishte nën kujdestarinë (in)direkte amerikane.

Por, në një letër të hapur, shkruar Sekretarit amerikan të Shtetit, Majk Pompeot, në qershor 2018, Zahedi deklarohej kundër intervenimit ushtarak në Iran dhe ndryshimit të dhunshëm e nga jashtë të regjimit. Kurse, në një intervistë që e dha më pas, ndër të tjera, ai njashtu tha se “më duhet ta them që diferencat

[politiko-idelogjike me regjimin]

nuk duhet ta zhbëjnë atë që na lidhë me kombin tonë dhe më vëllezërit e motrat tona”. Mbase nuk pajtohemi as me njërin as me tjetrin konstatim të Zahedit, por nuk e mohojmë dot tabanin atdhedashës të tij.

Ndonëse ai regjim e rrëzoi nga pushteti, ndonëse për shkak të atij regjimi tani e 40 vite nuk ka pasur mundësi as ta shoh atdheun e tij dhe ndonëse ai regjim është munduar edhe t’i bënte atentat, Zahedi, përmbi dallimet ideologjike, nxjerr në pah dashurinë ndaj atdheut të tij.

Në fakt, në përgjithësi ekziston një bindje në mesin e iranologëve se ndër iranianë ekziston një ndjenjë e lartë nacionalizmi dhe etatizmi, e cila, në rastet kur Irani rrezikohet nga jashtë, shkakton uljen e tensioneve të brendshme. Duke qenë lexues i rregullt i studimeve historiko-sociologjike mbi Iranin, kam hasur në shumë analiza që vlerësojnë se rritja e presioneve amerikane ndaj regjimit iranian në fakt po prodhon kundërefekte, me ç’rast edhe kritikët e regjimit – prej liberalëve, tek majtistët – në situata të atilla hezitojnë të dalin kundër regjimit dhe në një mënyrë a tjetër rreshtohen kah shteti i tyre, pavarësisht nëse pajtohen me të.

3.

Pas deklaratës së Prokurorisë së Specializuar rreth aktakuzave ndaj krerëve të UÇK-së, rrjetet sociale ofruan një pasqyrë tjetër, krejt të kundërt me fenomenin e iranianëve që e përshkrova sipri, atë të ekzaltimit – herë të hapur e herë të tërthortë – rreth këtyre aktakuzave.

Është e vërtetë që shumë prej krerëvë të UÇK-së, paçka se jo vetëm ata, e bartin përgjegjësinë për dukuritë negative që kanë ndodhur në Kosovë këto 20 vite – keqqeverisjen, nepotizmin e korrupsionin. Por, korrupsioni për shumëkë është vetëm alibia prapa së cilës fshihet vreri burimor ndaj UÇK-së dhe krerëve e ushtarëve të saj. Nuk është se s’ka pasur shqiptarë që e kanë ofenduar UÇK-në edhe më 1993 ose më 1999, atëherë kur dihej aspak ose fare pak për njerëzit që udhëheqnin atë.

Për më tepër, paditë ndaj ish-krerëve të saj nuk kanë të bëjnë fare me qeverisjen 20-vjeçare në Kosovë. Për rrjedhojë, ngazëllimi rreth aktakuzave për luftën e UÇK-së – herë për shkak të urrejtjes inherente, herë për shkak të konkurrencës politike – paraqet një disonancë kognitive dhe një iracionalitet absurd. Mirëkuptimi i shkaqeve të këtij iracionaliteti nënkupton pastaj mirëkuptimin e çdo iracionaliteti – seksizmit, racizmit, etj.

Njëlloj iracional dhe cinik është edhe pretendimi se nuk do të gjykohet lufta e UÇK-së, por do gjykohen Thaçi e Veseli (dhe potencialisht të gjithë komandantët e saj) individualisht. Për përgjegjësi individuale mund të flasim ndoshta kur flitet për ushtarët e thjeshtë. Kur gjykohen anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, atëherë po gjykohet UÇK-ja. Çfarë mendojnë ata që thonë se nuk po gjykohet UÇK-ja? Si do të dukej gjykimi i saj në paramendimin e tyre? A do të duhej të merrej logoja e UÇK-së dhe të ulej në gjykatore për të thënë se po gjykohet vetë UÇK-ja?

Secila ushtri, parti, lëvizje, revolucion ose luftë e ka një ide abstrakte rreth të cilës tubohen bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët. Por, secila syresh i ka edhe kokat politike dhe operative. Ideja abstrakte dhe gjenerale inkarnohet në liderët e saj. Ata janë bartësit e saj. Ideja pa individë dhe individët pa ide janë asgjë. E para paraqet kokën pa këmbë, e dyta këmbët pa kokë. Ai pretendim cinik është i rrezikshëm edhe për shkak se në këtë mënyrë – duke thënë se përgjegjësia qenka vetëm individuale dhe jo kolektive – ne e shfajësojmë shtetin serb dhe kësodore e bartim fajin e tij për krimet sistematike kundër njerëzimit të kryera në Kosovë vetëm tek liderët serbë të kohës si individë.

Na pëlqyen ose jo, u pajtuam politikisht me ta ose jo, këta ishin djemtë 18-20 vjeçarë që çmendurisht ia mësynë me nga një pushkë të vjetër ta largonin nga Kosova shtetin që kish një nga ushtritë më të fuqishme në Evropë. Na pëlqeu ose jo, këta udhëhoqën luftën e cila solli intervenimin ndërkombëtar dhe më pas lirinë. Na pëlqeu ose jo, këta po akuzohen për këtë periudhë dhe, duke qenë udhëheqës të luftës, po akuzohet vetë lufta, vetë UÇK-ja.

4.

Ndonëse ka qenë viktimë, Kosova ka qenë i vetmi vend i përfshirë në luftërat në ish-Jugosllavi që ka kaluar nëpër kaq shumë gjyqe për luftën. Ish-luftëtarët e UÇK-së kanë kaluar gjashtë palë gjyqe – gjykatat e UNMIK-ut, gjykatat e EULEX-it, Tribunalin e Hagës, gjykatat vendore, gjyqet e Serbisë dhe së voni Dhomat e Specializuara. Prandaj, po, po gjykohet UÇK-ja!

Për më tepër, nga të gjitha palët ndërluftuese në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, UÇK-ja ka qenë e vetmja ushtri guerile dhe e parregullt. Ka qenë e vetmja ushtri që nuk e ka trashëguar as armatën federative, as strukturën hierarkike e infrastrukturën logjistike-operative të milicive republikane dhe të njësive republikane të mbrojtjes territoriale.

Serbët, kroatët e boshnjakët kanë kaluar zakonisht në një ose dy palë gjyqe – vendoret dhe Tribunalin e Hagës. Këto tre kombe njëherazi kanë pasur ushtri të rregullta që kanë qenë trashëgimtare qoftë të armatës federale, qoftë të njësive ushtarako-politicore republikane. Për rrjedhojë, ka qenë më e lehtë tek ushtritë e këtyre tri kombeve jo vetëm të bëhen krime me urdhër të zinxhirit hierarkik, por njëherazi edhe të kontrollohen më lehtë veprimet e ushtarëve pas luftës.

Megjithëkëtë, kanë qenë pikërisht ushtarët e kombeve të tjera të ish-Jugosllavisë që janë arratisur nga drejtësia – përkundër se janë përballur vetëm me një ose dy palë gjykata dhe përkundër që, duke qenë ushtri të rregullta, survejimi i tyre ka qenë më i lehtë. Radovan Karaxhiqi, Ratko Mladiqi dhe Ante Gotovina janë vetëm disa prej shembujve të shumtë. E, asnjë ushtar shqiptar nuk e ka refuzuar bashkëpunimin me asnjërën nga pesë gjykatat që janë marrë me këtë temë, përjashto gjykatat serbe. Prandaj, është e pakuptueshme euforia e Zyres së Prokurorit për të publikuar aktakuzën akoma pa u konfirmuar nga gjyqtarët.

Fundja, po flasim për Dhomat e Specializuara që janë ngritur mbi akuzat e raportit të Dik Martit, të cilin e ka sponsorizuar në Këshillin e Evropës deputeti rus Konstantin Kosaçevi. Ky raport u miratua pak më shumë se një vit pasi që në Kosovë u kapën tre agjentë serbë që po blinin me nga 300 mijë euro dëshmi të rrejshme kundër UÇK-së për akuzat e pretenduara më pas në raportin e Martit. Kur qe pyetur Bernard Kushneri, ish-kryeadministratori i UNMIK-ut, rreth pretendimeve për “Shtëpinë e verdhë” dhe trafikimin e organeve, ai ishte përgjigjur duke qeshur: “Shitje e organeve? Jeni çmendur? Mos besoni gjithçka që dëgjoni! Ata që flasin kështu janë idiotë”.

Për më tepër, pretendimi se udhëheqësit e UÇK-së kanë kryer krime paraqet dridhje të themeleve të shtetit dhe të narrativës zyrtare rreth shtetformimit tonë. Kosova është shpallur e pavarur sepse ka qenë rast sui generis i intervenimit humanitar në një situatë ku agresori ka qenë i qartë dhe viktima ka qenë e qartë. Serbia ka njëzet vite që tenton ta relativizojë krimin e saj dhe ta mjegullojë dallimin mes agresorit dhe viktimës. Akuzimi i zinxhirit hierarkik të UÇK-së nënkupton se këtu nuk paska qenë i qartë dallimi mes agresorit dhe viktimës. Serbia ka njëzet vite që thotë “ne kemi vrarë, ata kanë vrarë”. Pikërisht këtu është kurtha – duke e mjegulluar dallimin mes viktimës dhe agresorit, delegjitimohet intervenimi humanitar dhe për rrjedhojë vetë pavarësia e Kosovës.

Duket se kjo është sfida e radhës me të cilën do të përballemi si popull dhe si shtet. E nisa këtë shkrim me strofën nismëtare të një poezie të Kadaresë dhe po e mbyll me strofën përbyllëse të saj: “Alarmi prapë, ja, gjëmon / Dhe horizonti është me re. / Nga lufta vijmë, në luftëra shkojmë / Dhe tjetër fat s’kërkojmë ne.” Ky është fati ynë, me të po përballemi, por të paktën të përballemi me dinjitet, ku interesat kombëtare i mbizotërojnë mëritë personale dhe politikat ditore.