Po harxhojnë ditët për marrëveshjen Kurti-Mustafa

Po harxhojnë ditët për marrëveshjen Kurti-Mustafa

Edhe pas më shumë se tre muaj prej kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale, vendi nuk e ka të formuar Qeverinë e re.

Kjo sepse partia fituese e zgjedhjeve  Vetëvendosje dhe partia që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po mund të merren vesh rreth ndarjes së posteve.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri thotë se tani më nuk ka raporte të sinqerta në mes të dy partive.

Sipas tij dy partitë të cilat po synojnë të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje, tani janë më larg se asnjëherë më parë drejt nënshkrimit.

Këtë e thotë bazuar në veprimet dhe deklaratat e zyrtarëve të dy partive bërë ditët e fundit që kanë filluar të fajësojnë njëra tjetrën për ngecje në këtë proces.

Gjithashtu ai përmend edhe grupime të brendshme në parti që mund të ndikojnë në mendimin politik.

“Po duket sikur fushata zgjedhore ose parazgjedhorë po vazhdon, mirëpo tani vetëm ndërmjet dy akterëve, Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa partitë e tjera kanë mbetur të heshtura, ani që edhe partitë e tjera e kanë mandatin e popullit dhe i kanë vendet e deputetëve dhe kanë po aq rëndësi sa edhe këto dy parti që kanë dalë e para dhe e dyta”.

“Bisedimet ndërmjet VV dhe LDK që po zhvillohen tash e disa muaj nuk po japin rezultat sa i përket ndarjes së pushtetit ose pozitave kushtetore. Dhe tash, kanë nisë të komunikojnë edhe me letra por edhe publikisht t’i çojnë porosi njëra-tjetrës”, thotë Tahiri, shkruan Insajderi.

Sipas tij këto ditë pritet të jenë përfundimtare rreth çështjes së arritjes të një marrëveshje të mundshme në mes të dy partive.

Tahiri thotë të dy partitë e kanë obligim që bashkërisht t’u  drejtohen qytetarëve përmes konferencës për media, lidhur me çfarëdo vendimi që do të marrin.

“Për me u marrë vesh për një ministër më shumë ose një ministër më pak, përnjëmend nuk ia vlen që të torturohen qytetarët dhe që të zvarritet kaq shumë procesi i Kosovës. Sepse, edhe nëse arrijnë me bë marrëveshje këto ditë, të gjitha këto vonesa do të shprehen si pasoja në qeverisjen e tyre në rend të parë, e mandej në jetën e qytetarëve dhe pakënaqësitë e qytetarëve me reformimin e ngadalshëm të jetës, shoqërisë, por edhe me mos zhvillimin ekonomik sepse këto ngecje shprehen në politikat zhvillimore”, përfundon ai.

Lexo edhe: 

Përçarja Kurti-Mustafa, a do të takohen sot liderët? Flasin në Vetëvendosje