“Po neglizhohet vaksinimi masiv” – Tolaj paralajmëron se mund të shfaqen variante të COVID-19

“Po neglizhohet vaksinimi masiv” – Tolaj paralajmëron se mund të shfaqen variante të COVID-19

Infektologu Ilir Tolaj thotë se në Kosovë është evidente që nuk ka vaksinim masiv, transmeton Insajderi.

Sipas tij, brenda ditës duhet të vaksinohen mbi 30 mijë persona e jo vetëm katër mijë sa janë duke u vaksinuar tani.

“Është evidente që vaksina mjaftueshëm nuk ka dhe furnizimi me vaksina ende nuk është bërë në nivelin në të cilin duhet që mandej të jetë i mundur që të bëhet një vaksinim masiv. Për këtë arsye besoj që nuk ka vaksinim masiv”.

Ai pohon se nëse vazhdon që vaksinimi të jetë i mangët, atëherë mundësia e varianteve të reja është e mundur edhe në të ardhmen.

“Variantet e reja të cilat eventualisht mund të shfaqen mund edhe të vijnë në Kosovë, por nuk mund të pres që këtu do të ndodhë një valë e re e infeksionit çfarë e kemi pasur më herët. Për të ndërprerë ecurinë e pandemisë është evidente çdo kund në botë që duhet të ekzistojë një komunitet kolektiv i popullatës. Ai imunitet mund të krijohet në dy mënyra duke e kaluar infeksionin  në mënyrë të natyrshme ose duke u vaksinuar”, thotë ai për EO.

“…është e rëndësishme vaksinimi masiv edhe ata që e kanë kaluar sepse në këtë mënyre do të arrisin imunitetin. Dhe të gjitha vaksinat që janë duke u përdorur në botë janë të suksesshme. Nëse autoritetet në Kosovë do të jenë të suksesshme me siguruar një sasi shumë më të madhe të vaksinave dhe me mobilizuar potencialet e vaksinimit mundësia për një valë të re është minimale ose nuk ekziston fare në Kosovë”, përfundon Tolaj./Insajderi.com