Podujevë: Paraburgim për të dyshuarin që vrau aksidentalisht familjaren e tij

Podujevë: Paraburgim për të dyshuarin që vrau aksidentalisht familjaren e tij

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj personit që dyshohet se nga pakujdesia ka vrarë familjaren e tij në Podujevë, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, i pandehur M.ZH dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.

“Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri M.ZH.. në liri ekziston rreziku i ikjes së tij, po ashtu mund t’i asgjësojë, fsheh, ndryshojë apo falsifikojë provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet në njoftim.

Vrasja ka ndodhur të hënën, ndërsa viktima ka vdekur një ditë më pas, derisa po trajtohej në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

“I pandehuri M.ZH. dyshohet se më 20.12.2020 rreth orës 23.30 në Podujevë, nga pakujdesia kishte shkrepur armën e markës “Magnum” dhe në atë moment kishte pësuar lëndime anëtarja e familjes – tani e ndjera SH.ZH., e cila më datë 21.12.2020 nga plagët e marra kishte ndërruar jetë në QKUK”, tuhet tutje në njoftimin e gykatës.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./Insajderi.com