Polemikë pozitë-opozitë në Serbi, kush e ka nënshkruar marrëveshje IBM me Kosovën

Për Marrëveshjen mbi Kufirin e Integruar në Jarinje dhe Bërnjak, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq thotë se është “ankth” për vazhdimin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe pengesa më e madhe bashkë me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Polemikë pozitë-opozitë në Serbi, kush e ka nënshkruar marrëveshje IBM me Kosovën

Dhe derisa Vuçiq pretendon se një marrëveshje të tillë e ka nënshkruar më 2011 shefi i atëhershëm i ekipit negociator serb Borko Stefanoviq, marrëveshja është nënshkruar kur ka ardhur në pushtet koalicioni PPS-PSS në dhjetor të vitit 2012, kur kryeministër ishte Ivica Daçiq, ndërsa zëvendëskryeministri i tij i parë ishte Aleksandar Vuçiq.

“Marrëveshjen e ka nënshkruar Borko Stefanoviq në vitin 2011, këtë ju kam thënë tashëm dhjetë herë.. E më pas është nënshkruar dhe zbatuar për vendosjen e pikave të kontrollit policor, dhe më pas janë vendosur edhe pikat doganore”, ka thënë Vuçiq.

Në pyetje të gazetares së N1 se kush e ka parafuar e kush nënshkruar Marrëveshjen mbi Kufirin e Integruar, për të cilën thuhet se është “pengesa më e madhe” në dialog, Borko Stefanoviq ka thënë se “të gjitha marrëveshjet i ka nënshkruar Ivica Daçiq”.

“Jo, Ivica Daçiq e ka nënshkruar pastaj. Ju kam thënë se atë marrëveshje mbi IBM e ka nënshkruar Borko Stefanoviq dhe në çdo faqe e ka vënë parafin e tij”, pretendon Vuçiq.

Në pyetje a e ka vënë parafin apo nënshkrimin, Vuçiq thotë “Parafi e ka fuqinë e njëjtë si nënshkrimi”.

Nga ana tjetër Stefanoviq thotë: “Po, unë e kam parafuar, mirëpo parafi dhe nënshkrimi nuk janë njëjtë. Këtë duhet ta dijë “studenti më i mirë i Fakultetit të drejtësisë në histori të gjitha fakulteteve të drejtësisë” se parafi është vetëm konfirmimi i saktësisë së tekstit, derisa nënshkrimi marrja e përgjegjësisë”.

Ai ka shtuar se doganën e ka vendosur regjimi i Aleksandar Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit në dhjetor të vitit 2012 me protokollin e tyre shtesë me të cilin kanë pranuar që të vendosen organet doganore të Kosovës dhe Serbisë në kufijtë në Jarinje dhe Bërnjak./Insajderi.com.