Policët e infektuar janë të vetizoluar

Policët e infektuar janë të vetizoluar

Që nga shfaqja e rastit të parë me koronavirus në Kosovë e deri tani, pesë zyrtarë policorë janë infektuar me koronavirus.

Policia e Kosovës ka konfirmuar që të pesë zyrtarët policorë janë në vetizolim.

“Një rast në Malishevë, zyrtari ka qenë i liruar nga puna, në pushim si rast i veçantë shëndetësor dhe i njëjti nuk ka pasur kontakt me ndonjë zyrtar policor, gjendet ne vetëkarantinë”.

“Një rast në rajonin e Prishtinës vizitë studimore në Londër, dhe falë syçëltësisë dhe komunikimit me Drejtorinë e Shërbimeve Shëndetësore të Policisë, menjëherë është vendosur në vetëkarantinë duke mos rrezikuar aspak të tjerët. Tri raste në Veri të Mitrovicës, zyrtarët janë duke u monitoruar dhe gjenden në karantinë”.

Policia e Kosovës thotë se ka marrë të gjitha masat për të ruajtur zyrtarët policorë nga infektimi me koronavirus.

“Policia e Kosovës me qëllim të mbrojtjes të të gjithë zyrtarëve policorë dhe në veçanti zyrtarëve në pikat kufitare, në lidhje me situatën rreth koronavirusit ka ndërmarrë masat të menjëhershme përmes aktiviteteve nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë, siç janë: dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi në të gjitha pikat kufitare, stacionet dhe objektet policore, proces i cili është në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Sa i takon implementimit të masave të reja, të bëra publike nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për kufizim të lëvizjes se qytetarëve në vetëm një orë e gjysmë brenda ditës, Policia e Kosovës thotë se që nga fillimi ka përgatitur plan operativ për zbatimin e çdo vendimi të institucioneve.