Anëtari i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu, ka rrëfyer të gjithë ngjarjen e arrestimit nga policia të shtunën mbrëma në një lokal në Prizren.
Ai ka thënë se arrestimi ndaj tij ka qenë i padrejtë, teksa ka treguar se është ndjerë “i nëpërkëmbur nga Policia e Kosovës”.
Ai është shprehur se gjatë arrestimit atij i janë shkaktuar edhe probleme shëndetësore në boshtin kurrizor, e në protezën që ka në gju.
Fazliu në T7 ka rrëfyer se pas rrëzimit dy punëtorë të sigurimit në lokal janë munduar që ta ndihmojnë që të ngritet, por që sipas tij, njëri nga zyrtarët policor u ka bërtitur duke u thënë “Mos e prekni se ua thyej kokën”.
“Ai filloi me më bërtit pa asnjë arsye. Ndërsa, kur jam rrëzuar kam rënë në boshtin kurrizor. Janë ofruar dy punëtorë të sigurimit me më ndimu, por polici i është drejtuar duke u thënë ‘mos e prekni se ua thyej kokën’. Ai nuk më ka thënë asnjë fjalë, as pse po mi vendosi prangat. Në momentin që ka thënë vendosjani prangat unë nuk kam rezistu, vetëm i kam shtri duart. Ndërsa vetëm punëtori i sigurimit më ka ndihmu me u ngritë”, ka deklaruar ai./Insajderi.com