Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar që edhe zyrtarët policorë të kompensohen nga Qeveria e Kosovës sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.
Përmes një njoftimi thonë se PK-ja po diskriminohet dhe neglizhohet nga institucionet tjera sa i përket shtesave.
“Më shumë se 4,000 pjesëtarë të policisë janë të angazhuar me orar 12 orë pune pa të drejtë pushimi dhe pa kompensim të shujtës, e cila është e rregulluar me ligji dhe me Udhëzimin administrativ 02/2018 në Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
“Pakënaqësia, shqetësimi dhe zhgënjimet janë duke u shfaqur nga të gjithë zyrtarët e Policisë dhe stafit civil në Policinë e Kosovës sa i përket shtesave, të cilat sipas vendimit të Qeveris së Republikës së Kosovës janë planifikuar për punonjësit shëndetësorë duke mos u përfshirë edhe Policia e Kosovës si zbatues i këtij ligji, e sidomos pjesëtarët e Policisë të cilët do të jenë në teren dhe zbatues të vendimeve të Qeveris së Republikës së Kosovës për masat anti-COVID”.
Madje, nga Sindikata thonë se nuk janë kompensuar as orët shtesë të vitit të kaluar 2020 për të gjithë pjesëtarët e angazhuar në detyrë.
Prandaj, kanë kërkuar që edhe pjesëtarëve të policisë të u paguhen shtesat. Po ashtu të bëhet kompensimi i mjeteve të mbetura të orëve shtesë për vitin 2020 për të gjithë ata të cilët kanë punuar.
“Kompensim për shujtë për punonjësit e Policisë së Kosovës të cilën asnjëherë nuk e kanë gëzuar këtë të drejtë sipas ligjeve dhe udhëzimit administrativ 02/2018 “Mbi marrëdhënie punë në Policinë e Kosovës, tani e cila është shumë e nevojshme kur punonjësit e PK-së punojnë me orar 12 orë”.
“Policia e Kosovës pos angazhimit të tyre profesional në punë po sulmohen e fyhen brutalisht nga qytetarët e pa ndërgjegjshëm të Republikës së Kosovës të cilët nuk i respektojnë masat anti COVID por edhe gjatë protestave dhe organizimeve të ndryshme dhe për veprimet e tyre po hapen raste te ndryshme nga Inspektorati i Policisë së Kosovës”.
“Duke parë se është një situatë shumë e renduar tek pjesëtarët e Policisë, ne si Sindikatë e Policisë së Kosovës qëndrojmë pranë këtyre kërkesave të cilat janë drejtuar dhe presim të realizohen, në të kundërtën ne si sindikatë do të veprojmë me hapa tjerë sindikal”./Insajderi.com