Polici i lënduar në Zhur kthehet pas shërimit në Kosovë

Polici i lënduar në Zhur kthehet pas shërimit në Kosovë

Zyrtari policor, Artur Mrasori, është kthyer në Kosovë pas trajtimit mjekësor në Turqi, si pasojë e operacionit policor që ka ndodhur para disa muajsh në Zhur të Prizrenit, njofton Insajderi.

Polici Mrasori kishe pësuar lëndime serioze në këtë operacion, ndërsa sot për ta pritur atë kanë dal edhe drejtori I përgjithshëm I PK-së, menaxhmenti I lartë I këtij institucioni, si dhe familjarë të tij.

Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj ka thënë se pas incidentit që ka ndodhur në Zhur të Prizrenit, polici Mramori ishte trajtuar në QKUK, mirëpo pas konstatimit të mjekëve që ai nuk mund të trajtohet në vend, kanë vendosur ta dërgojnë për ta dërguar në Turqi.

“Në janar të këtij viti kemi pasur një rast tragjik, një rast të tmerrshëm në Prizren, me ç’rast ka humbur jetën një koleg i yni, polici Sami Thaqi, dhe po ashtu kemi pasur të lënduar disa policë të tjerë e ndër ta, me lëndime të rënda ka qenë kolegu Artur Mrasori, i cili fillimisht është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, dhe pastaj mjekët kanë konstatuar që ai nuk mund të trajtohet në vend, jemi detyruar ta dërgojmë për t’u trajtuar në një spital në Turqi”, ka thënë Qalaj.

Qalaj ka falënderuar ministrinë e drejtësisë, Qeverinë e Kosovës, policët e Kosovës, mediat dhe gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët e kanë mbështetur moralisht dhe financiarisht shërimin e policit Artur Mrasori. Ai ka thënë se trajtimi i është bërë mjaftë mirë, pasi që gjendja e tij është mjaft e mirë edhe pse ka pasur lëndime shumë të rënda.

Qalaj gjithashtu ka deklaruar se do të vazhdojë përcjellja e trajtimit të policit nëse prapë ka nevojë.

Ganimet Mrasori, babai i policit Artur Mrasori, ka thënë se ishte dhimbje shumë e madhe kur e kanë dërguar djalin e tij për shërim në Stamboll.

“Ky është gëzimi më i madh në jetën time për arsye se para 7 muajve, kur e kanë dërguar Arturin për Stamboll, ka qenë dhimbja më e madhe. Tani është një gëzim shumë i madh dhe kemi përjetuar lloj lloj raste, por falënderoj Zotin që e bëri të pamundshme…. por gjithashtu do t’i falënderoj të gjitha institucionet shtetërore tonat, që prej fillimi e kanë bërë të pamundshme, gjithçka për përkujdesen e tij”, ka thënë Mrasori.

Përndryshe, në fund të muajit janar të këtij viti, gjatë një operacioni bastisje në fshatin Zhur të Prizrenit, pas një shpërthimi të një mjeti eksplodues, ka vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe dy të tjerë janë plagosur. /Insajderi.com