Halit Zhdrella që sipas një njoftimi të Policisë u vra mbrëmë nga pakujdesia, deri në muajin shtator ishte njëri nga zyrtarët kryesorë për hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.
Në lidhje me vrasjen e Zhdrellës në Podujevë, mbrëmë është arrestuar një i dyshuar.
Policia këtë akt e ka cilësuar si “Vrasje nga pakujdesia”.
“Lidhur me këtë rast nga njësitet policore është arrestuar një person i dyshuar: T. Zh , 31 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërkohë që hetuesit policor, janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili është cilësuar si Vrasje nga pakujdesia”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Zhdrella deri para dy muajsh ishte shef i krimeve Ekonomike për Regjionin e Prishtinës, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai ishte larguar nga kjo pozitë me vendim të drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj.
Kështu kishte raportuar Koha Ditore më datën 7 shtator të këtij viti.
Vetë Qalaj kishte pranuar këto largime, duke shtuar se ndryshime do të ketë edhe në sektorë tjerë të Policisë.
Veç Zhdrellës, ishin shkarkuar edhe Shefi i Njësive rajonale për hetimin e krimeve ekonomike, Avni Namani, shefi i Hetimeve financiare Shkumbin Kadishani dhe shefi i Sektorit të korrupsionit, Shemsi Igrishta. /Insajderi.com