Policia arreston Krasniqin e Hysenin – Molliqaj kërkon lirimin e tyre

Policia e Kosovës ka arrestuar Frashër Krasniqin e Zgjim Hysenin e Partisë Socialdemokrate. Nga PSD thonë se ata u arrestuan për shkak të aksionit kundër deklaratave të Miroslav Lajçak. Nga policia ende nuk ka ndonjë komunikatë për media rreth arrestimit të Krasniqit e Hysenit.

Policia arreston Krasniqin e Hysenin – Molliqaj kërkon lirimin e tyre

Policia e Kosovës ka arrestuar ish-deputetin dhe anëtarin e Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqin dhe nënkryetarin e kësaj partie, Zgjim Hysenin, njofton Insajderi.

Ata janë arrestuar “gjatë aksionit të PSD-së kundër deklaratës së Lajçakut për Asociacionin kundërkushtetues”, ka njoftuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

“Është i papranueshëm zelli i Policisë së Kosovës që të arrestojnë aktivistët politik që shprehin bindjet e tyre përmes aksioneve paqësore. Çdo arrestim i tillë është veçse politik prandaj është i patolerueshëm. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistëve Zgjim Hyseni dhe Frashër Krasniqi”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Policia ende nuk ka njoftuar për arsyet e arrestimit të Krasniqit e Hysenit.

Aksioni i sotëm i PSD-së ishte shkrimi me ngjyrë në gjuhën angleze nëpër mure të qytetit i frazës “BE-ja po i ndan njerëzit”.

“I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po na dërgon porosi nga Beogradi. Asociacioni duhet bërë, madje për këtë punë duhet ndryshuar kushtetuta e vendit”, thuhet në komunikatën që PSD e kanë dërguar për media duke sqaruar arsyet e aksionit të sotëm.

“Emisari Lajçak nuk e ka në plan përmirësimin e as zgjidhjen e problemit midis dy popujve. Ai e kërkon me ngulm formimin e Asociacionit, por kur vjen puna tek njohja reciproke qëndron neutral. Në vend se Bashkimi Evropian të angazhohej për barazi dhe paqe në mes njerëzve, ajo po i ndan ata”.

Edhe javën e kaluar, për shkak të një “aksioni simbolik” Zgjim Hyseni ishte thirrur për në intervistim nga policia.

Kryetari i PSD-së thirrjen e Hysenit nga forcat e rendit e kishte quajtur absurde.

“Shkuam tek zyrat e Dhomave të Specializuara në Prishtinë për të protestuar rreth vazhdimësisë së punës së tyre në kushte të mungesës së mandatit. Asgjë nuk ka ndodhur, aksioni është kryer pa asnjë incident. Absurd dhe disi i pabesueshëm aktivizimi i Policisë së Kosovës për ta ftuar në intervistë Zgjim Hysenin. Ai është ftuar thjesht sepse ka dhënë prononcimin medial për ta treguar mesazhin e aktivitetit. Aksione të ngjashme përpara institucioneve tjera kemi zhvilluar tash sa kohë”, pati shkruar Molliqaj në Facebook./Insajderi.com