Policia britanike: Bandat shqiptare, më të pamëshirshmet në historinë e Britanisë

Policia britanike: Bandat shqiptare, më të pamëshirshmet në historinë e Britanisë

Kriminelë të pashpirtë shqiptarë që operojnë në Britani po kidnapojnë të afërm të moshuar të rivalëve gangsterë, taktikë kjo që po quhet “haraç me të moshuar”.

Policia në ishull ka zbuluar se bandat i targetojnë prindërit e madhe edhe gjyshërit të familjeve tjera të krimit të organizuar, i mbajnë peng dhe kërkojnë para, drogë apo territor në këmbim të lirimit të tyre të sigurt.

“The Mail On Sunday” raporton se lordët e krimit nga Shqipëria janë shumë të dhunshëm dhe të pamëshirshëm sa që kanë uzurpuar bandat që tradicionalisht janë marrë me drogë në pjesën më të madhe të Anglisë, dhe tani po dërgojnë shuma të mëdha parash në shtëpi të fshehura nëpër vetura, transmeton Koha.net.

Sipas të dhënave të fundit del se në Britani jetojnë 32 mijë shqiptarë të Shqipërisë por një numër i madh i tyre, 572, janë në burg – pothuajse një në 50.

Detajet e këtyre bandave u janë zbuluar shefave të policisë gjatë një konference në Londër javën e kaluar.

Kathryn Holloway, komisionere e Policisë dhe Krimit në Bedfordshire, ka thënë për “”The Mail on Sunday”: “S’mund ta merrni me mend se sa të pamëshirshëm janë. Disa prej bandave tradicionale janë shkrirë, janë përballur me brutalitetin e fortë të shqiptarëve. Këto janë pa dyshim bandat më të pamëshirshme që Britania ka parë ndonjëherë. Janë të përgatitur të kidnapojnë rivalët për borxhe prej vetëm 200 funtesh”.

“Ata kidnapojnë të afërmit e moshuar të bandave rivale dhe i shfrytëzojnë ata për të zhvatur para, drogë apo territor. Kjo po i shkakton një kokëdhembje të madhe policisë britanike”, ka thënë ajo.

Ajo theksoi se kjo praktikë po njihet si “haraç me të moshuar”.

Holloway po ashtu tregoi se si policia ka zbuluar se gangsterët shqiptarë po lëvizin ‘shuma të mëdha parash’ jashtë Britanisë në vetura të përshtatura enkas për këtë punë.

Gjatë këtij viti, Vladimir Cahani dhe bashkëshortja e tij janë kapur duke kontrabanduar 130,000 euro përmes Tunelit të Kanalit në veturën e tyre.

Kur qentë Kufitarë të trajnuar për nuhatje kontrolluan veturën e tyre Audi në terminalin në Folkestone, ata gjetën paratë të fshehura brenda tabelës së instrumenteve.

E Agjencia Kombëtare kundër Krimit (NCA) këtë vit paralajmëroi: “Grupet shqiptare të krimit kanë shtrirë ndikim të madh brenda krimit të organizuar në Britani”, transmeton Koha.net.

Ata qëndrojnë prapa furnizimit kryesor të kokainës në vend dhe janë po ashtu të përfshirë në trafikim me njerëz dhe prostitucion.

NCA ka kryer 400 operacione kundër aktiviteteve të tyre vetëm vitin e kaluar, duke pasur në cak auto-larjet e tyre, sallonet e bukurisë dhe shtëpitë publike ku i detyrojnë bashkëqytetaret e tyre pa mbështetje të punojnë.