Policia deklarohet rreth aksionit në sheshin “Nënë Tereza”, ku u arrestuan pesë persona

Policia deklarohet rreth aksionit në sheshin “Nënë Tereza”, ku u arrestuan pesë persona

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e djeshëm, ku Njësitë Speciale të Kosovës u panë duke arrestuar pesë persona në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se intervenimi i djeshëm i policisë ishte në një rrahje në progres midis disa personave të ndodhur në këtë pjesë të qytetit.

“Reagimi policor ka ndaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës me ç’rast të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar për në stacionin policor”, ka thënë Borovci.

Ai shton se një nga të dyshuarit kishte penguar policinë në kryerjen e detyrës zyrtare derisa policia po ushtronte autorizimet e saj.

Të gjithë të dyshuarit në koordinim me prokurorin e shtetit janë proceduar më tej.

Gazeta Online Insajderi ka publikuar video ekskluzive të siguruar nga vendi i ngjarjes, video kjo në të cilën u pa që pesë persona janë kapur nga njësitë policore.

Në videon e siguruar të arrestuarit shihen të shtrirë për toke gjatë prangosjes, ndërsa rreth policisë kishte edhe qytetarë të cilët po e përcillnin aksionin policor. /Insajderi.com