Policia demanton mediat serbe: Nuk ka pasur asnjë situatë dramatike në Bërnjak

Policia demanton mediat serbe: Nuk ka pasur asnjë situatë dramatike në Bërnjak

Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar raportimet e mediave serbe të cilat pretendonin se “ka pasur situatë dramatike në vijën kufitare në Bërnjak, ku sipas mediave policia ka tentuar ta nxjerrin nga vetura një person e që KFOR-i e ka parandaluar incidentin”.

Por, Policia e Kosovës thotë se ky raportim i Kosovo-Online është i pavërtetë.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Këto raportime, Policia i cilësoi si tenencioze dhe dezinformuese.

“Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”.

Numri i protestuesve serbë kundër reciprocitetit të targave është rritur mëngjesin e së mërkurës, krahasuar me mbrëmjen e fundit, ku kishte më pak persona në rrugë.

Po ashtu, njësitet speciale u ndryshuan gjatës mesnatës dhe nuk kishte ndonjë incident.

Përveç anëtarëve të Rosu, situata në veri të Kosovës u monitorua nga KFOR, i cili gjithashtu patrulloi me helikopter.

Rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak u bllokuan nga makineritë e rënda të vendosura nga qytetarët serbë.

Të hënën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në disa pika kufitare me Serbinë.

Kjo për ta zbatuar reciprocitetin e targave, që cilësohet të jetë edhe pjesë e Marrëveshjes së Brukselit në kuadër të lëvizjes së lirë. /Insajderi.com