Policia e Kosovës për të dytën herë radhazi ka demantuar gazetën serbe “Kosovo Online” për raportimet rreth situatës në veri të Kosovës, pas vendimit për reciprocitetin e targave.
Ky medium të enjten raportoi se tre shtetas serbë gjatë protestës në pikën kufitare Bërnjak “janë sulmuar nga pjesëtarët e Policisë Speciale të Kosovës”.
Sipas PK-së, ky shkrim është tendencioz dhe i pavërtetë, i publikuar nga një medium “i cili në vazhdimësi po publikon dezinformacione të tilla”.
“Lajmi i radhës i publikuar sot (23.09.21) nga ky medium, se kinse në afërsi të pikë kalimit kufitar në Bërnjak njësia speciale nga Prishtina ka rrahur tre persona serb nuk qëndron, është i pavërtetë dhe ka për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët si dhe për të plotësuar ambiciet e ndryshme politike të orientuara nga jashtë”.
Andaj një informacion i tillë, sipas policisë, pas verifikimeve zyrtare është vërtetuar se nuk qëndron.
“Nuk ka pasur asnjë ndalim apo kontakt me ndonjë protestues në pikë kalim kufitar, por njësia policore gjatë rrugës ka verifikuar tre kamion gjegjësisht vozitësit e tyre të cilët kanë vozitur prapa kolonës së zyrtarëve policorë duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve dhe operacionit policorë, me ç’rast zyrtarët kanë ndaluar, verifikuar dhe më pas i ka liruar të tre vozitësit të nacionlitetit m/sh kosovarë, të cilët janë udhëzuar të paraqiten në stacionin policorë Jugu – Mitrovicë”.
“Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”.
“Bashkangjitur keni dokumentacionet e tre personave m/sh kosovarë të verifikuar nga zyrtarët policorë, të cilat dëshmojnë dhe njëherit demantojnë lajmin dezinformues të mediumit në fjalë”./Insajderi.com