Policia e Kosovës ka thënë së manifestimi tradicional i festës së ‘Vidovdan-it’, ka kaluar pa incidente madhore, shkruan Insajderi.
Në një komunikatë të dërguar për media thuhet së policia me kohë kishte përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas manifestimit.
“Policia e Kosovës, përveç ndërmarrjes së masave dhe planifikimeve operacionale, kishte përgatitur një fletushkë informuese për qytetarët (në gjuhën shqipe dhe serbe), për t’i informuar mbi të drejtat dhe interesat e qytetarëve përgjatë manifestimit, mbi masat, procedurat ligjore dhe angazhimet policore, si dhe për zbatimin e masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP-së në këtë kohë pandemie”, ka deklaruar policia.
Policia e Kosovës në bazë të dhënave nga terreni ka regjistruar rreth 2000 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, me rastin e festës me karakter religjioz të quajtur ‘Vidovdani’.
Më tej thuhet së Policia e Kosovës gjatë manifestimeve ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor një person të dyshuar mbi dyshimin për vepër penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, i cili është në procedurë të intervistimit, përderisa të gjitha veprimet lidhur me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin e rastit.
“Gjatë manifestimit zyrtarët policorë kanë vërejtur disa pjesëmarrës të cilët kanë pasur të veshur fanella me mbishkrime provokuese, andaj me qëllim të shmangies së ndonjë keqkuptimi apo incidenti të mundshëm, fanellat e tilla të ekspozuara në automjete dhe të veshura iu janë larguar”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu zyrtarët policorë të cilët kanë qenë të caktuar në lokacione të ndryshme, përfshirë pikat e kontrollit, gjatë kontrollit dhe verifikimit të tyre kanë gjetur dhe sekuestruar disa mjete të ndryshme të mprehta thika dhe një boks hekuri.
“Lidhur me këtë, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë ka hapur rastet për ’Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’’, është shkruar në komunikatë./Insajderi.com