Policia e Kosovës po e kërkon për mashtrim në votime, ai qëndron ‘i qetë’ në SHBA

Policia e Kosovës po e kërkon për mashtrim në votime, ai qëndron ‘i qetë’ në SHBA

Policia e Kosovës është duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një të dyshuari për mashtrim në votime. Bëhet fjalë për 35-vjeçarin nga Tërmoci i Istogut, Astrit Rexhaj.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, policia ka njoftuar se ka siguruar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në komunikatë.

Por, Astriti duket se nuk është duke u fshehur. Reporteri e ka gjetur atë dhe shihet se ai madje po bën një karrierë profesionale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për më tepër, nuk duket që po fshihet aspak, pasi poston rregullisht në Facebook.

Rexhaj shihet se tashmë jeton në New York dhe është mjek me profesion duke shërbyer në spitalet amerikane.