Ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Drenicës, Sami Lushtaku dje është ndaluar nga Policia e Zvicrës, në aeroportin e Cyrihut.
Kjo ka ndodhur pas fletarresteve që vazhdojnë të mbeten në fuqi nga Serbia.
Pas një kontrolli nga Policia dhe procedurave të verifikimit, ish-kryetari i Skënderajt është liruar.
Avokati i Lushtakut, Arianit Koci ka thënë për Insajderin se klienti tij është ndaluar për pak kohë.
“Është ndaluar dhe është liruar, Policia e kanë kryer procedurën e verifikimeve dhe është liruar. Ka qenë një kontroll e shkurtër, ndalesë e shkrutër dhe pastaj është liruar”, ka thënë avokati i Lushtakut.
Koci ka thënë se klientit të tij nuk i kanë interesuar shumë arsyet e ndalesës.
“Ai as nuk i ka pyetur dhe as nuk i ka interesuar kjo punë. Samisë nuk i ka interesu. Policia e kanë kryer punën e vetë dhe kanë vazhduar më tutje. E kanë ndaluar e kanë kontrolluar dhe e kanë liru”, deklaroi Arianit Koci.
Pikërisht për shkak të fletarresteve nga Serbia, kohë më parë në Francë ishte arrestuar tashmë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Pas disa muajve me seanca gjyqësore, ai ishte liruar. /Insajderi.com