Policia e Kosovës ka njoftuar se në tri ditët e fundit në Mitrovicën e Jugut ka gjetur tri vetura të vjedhura, shkruan Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, veturat ishin raportuar kohë më parë si të vjedhura në qytete të ndryshme të vendit.
“Një bashkëveprim i mirë ndërmjet Policisë në Mitrovicë dhe stacioneve policore Podujevë, Pejë e Rahovec, ka rezultuar që veturat e vjedhura në këto qytete të gjenden nga policia në lokacione të ndryshme në Mitrovicë”.
“Hetimet e ndërmarra, përfshirë ekzaminimin e veturave dhe lokacioneve ku janë gjetur veturat, janë bërë në bashkëveprim me hetuesit e stacioneve përkatëse policore. Pas procedurave të nevojshme veturat në fjalë janë marrë nga stacionet përkatëse për t’ua kthyer pronarëve”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Tutje, policia njofton se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të kryesve të këtyre veprave./Insajderi.com