Policia: Gjendja e sigurisë në veri i është kthyer normalitetit

Policia: Gjendja e sigurisë në veri i është kthyer normalitetit

Policia e Kosovës thotë se gjendja e sigurisë në pjesën veriore të vendit, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit.

Përmes një komunikate për media, nga PK-ja kanë njoftuar në detaje për zhbllokimin e rrugëve në veri si dhe largimin e Njësisë Speciale nga aty.

“Referuar zhvillimeve dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve, sot më 02 tetor 2021 në ditën e trembëdhjetë (13), pengesat/barrikadat e krijuara në të gjitha lokacionet kanë filluar të largohen nga vet personat të cilët i kanë vendosur ato dhe rrugët në drejtim të pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë liruar për qarkullim”, thuhet në komunikatë.

“Pas lirimit të rrugëve për qarkullim dhe largimit të pengesave, e personave të cilët në shenjë proteste kanë qëndruar në ato lokacione, njësitet speciale operative të Policisë së Kosovës kanë filluar lëvizjen e tyre nga pikat e vendosura drejt stacioneve policore”.

“Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, pas largimit të pengesave, lirimit të rrugëve për qarkullim dhe lëvizje të lirë i është kthyer normalitetit, përderisa njësitet policore patrulluese përfshirë ato kufitare vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore”.