Policia gjobit PDK-në për tubimin në Rezallë të Skenderajt

Policia gjobit PDK-në për tubimin në Rezallë të Skenderajt

Policia e Kosovës ka gjobitur me dy mijë euro Partinë Demokratike të Kosovës për një tubim të mbajtur në fshatin Rezallë të Skenderajt në të cilin nuk janë respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19.

Në këtë tubim, siç njofton PK-ja, është tejkaluar numri i lejuar i pjesëmarrësve në hapësirat e jashtme në tubimet publike.

“Për shkak të mos respektimit të vendimit të fundit të qeverisë, dhe për shkak se organizatori nuk kishte krijuar kushte për mbajtje të distancës, mospërkujdesjen për vendosjen e maskave të pjesëmarrësve në tubim, policia ka shqiptuar gjobë organizatorit si person fizik konformë ligjit për mbrojtje nga pandemia Covid-19”, thuhet në komunikatën për media.

“Po ashtu policia në Skenderaj, i ka shqiptuar gjobë edhe subjektit politikë si person juridik, pasi që nuk janë respektuar masat mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19”.

Të dielën dhjetëra persona ishin mbledhur në një tubim të organizuar nga kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura, në fshatin Rezallë.

Në fotografitë e publikuara në Facebook nga vetë Nura, shihej se pjesëmarrësit ishin të shumtë në numër dhe nuk po respektonin distancën sociale e as nuk kishin maska, të cilat janë obligative të mbahen në hapësira publike, sipas masave anti-COVID’19 që janë në fuqi./Insajderi.com

Foto nga tubimi i PDK-së në Rezallë