Policia has në dy persona që tentuan të futen ilegalisht në Kosovë

Policia has në dy persona që tentuan të futen ilegalisht në Kosovë

Policia e Kosovës njofton se të mërkurën gjatë kontrollit të një kamioni në Han të Elezit, ka hasur në dy emigrantë A. Z. nga Algjeria i cili nuk posedonte dokumente identifikimi dhe T. A. nga Libia me pasaportë të kësaj të fundit, përcjell Insajderi.

Sipas njoftimit, të dyshuarit ishin futur në rimorkio të kamionit duke dëmtuar një pjesë të mbulojës së rimorkios.

“Zyrtarët policorë të Stacionit të Policisë Kufitare-Hani Elezit, në hyrje për në Republikën e Kosovës, në Terminalin Doganor, kanë kontrolluar me pajisje të veçantë një kamion me targa të Maqedonisë Veriore, i cili vinte i ngarkuar nga Turqia.

Gjatë kontrollimit, pas sinjaleve të marra është vendosur që rimorkio të hapet për kontrollim më të detajuar”.

Gjatë intervistimit të të dyshuarve, policia bën të ditur se ata deklaruan se kanë ardhur nga Greqia në Maqedoninë Veriore para dy ditëve dhe me pas kanë tentuar të futen në Kosovë.

Rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin kujdestar.

Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë janë arrestuar 30 persona, 18 janë dërguar në mbajtje, ndërsa katër në vuajtje të dënimit./Insajderi.com