Policia e Kosovës ka hetuar dy vëllezërit binjakë nga Ferizaj, të cilët në një intervistë televizive kanë deklaruar se për shkak të ngjashmërisë së madhe që kanë, kanë vozitur me një patentë-shofer si dhe kanë përdorur të njëjtën pasaportë.
Por, sipas PK-së, nga hetimet e kryera rezulton se të njëjtit nuk kanë kryer asnjë vepër penale dhe se deklarata e tyre ishte vetëm sa për “show”.
“Hetimet lidhur me këtë rast kanë përfunduar. Është nxjerrë në përfundim se nuk është kryer asnjë vepër penale, por e kanë bërë për ‘show’”, ka thënë për Shqip.com zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ndryshe, dy vëllezërit binjakë nga Ferizaj, Bujari dhe Ismajli, kanë rrëfyer historinë e tyre në një intervistë në ATV.
Është Bujari, ai i cili ka treguar se si ndodhë që edhe gjatë orarit të punës kur dikush nga klientët ngritët për t’ua bërë pagesën i ngatërron se cili prej tyre i ka shërbyer.
Rasti që ka nxitur komente të shumta është ai me patentë-shofer.
Ismajli, i cili është 5 minuta më i madh se Bujari, ka treguar që në shkollë ka qenë pak më i mirë, e kjo i ka ndihmuar që i pari ta marrë edhe patentën për vozitje.
Por, kjo punë nuk duket t’i ketë sjellë ndonjë problem Bujarit pasi, marrë parasysh ngjashmërinë e madhe që kanë, ky i fundit ka thënë për 10-vite rresht e ka shfrytëzuar patentën e vëllait./Insajderi.com