Policia e Kosovës ka njoftuar se janë shpallur në kërkim edhe pesë persona tjerë që dyshohet se janë përfshirë në aktivitetet e kontrabandimit me mallra, duke e çuar kështu në 10 numrin e personave të kërkuar, përcjell Insajderi.com.
Përmes një komunikate, Policia e Kosovës tha se pesë personat tjerë të kërkuar janë: Ilija Vicentijevic, Vehbi Hyseni, Muhamet Hyseni, Muhamet Vallqi dhe Agron Novaj.
“Si rezultat i vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve dhe hetimeve policore me prokuroritë kompetente, pas identifikimit të mëhershëm të pesë (5) personave të dyshuar, tani janë identifikuar edhe pesë (5) persona të tjerë të dyshuar, ku numri i tyre arrin në dhjetë (10) persona të dyshuar të përfshirë në aktivitete kriminale të kontrabandës me mallra”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, më herët, Policia e Kosovës i ka shpallur në kërkim edhe pesë persona tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në kontrabandimin me mallra.
Paraditen e së mërkurës, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës kanë zhvilluar një aksion kundër kontrabandimit të mallrave në nivel vendi, përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut.
Por, jo të gjithë ishin të bindur ndaj organeve të rendit, ku serbët lokalë në Mitrovicën e Veriut bllokuan rrugët, madje u përplasën edhe me policinë.
Sipas raportimeve të portalit në gjuhën serbe “Kosovo-online” policia kishte hedhur gazlotsjellës mbi protestuesit.
Por, aksioni nuk ishte veç në Mitrovicë – u zhvillua edhe në Mitrovicën e Jugut, Prishtinë dhe Pejë.
Për këtë, Policia ka arrestuar tetë persona – gjashtë shqiptarë, një boshnjak dhe një serb./Insajderi.com