Policia insiston t’i bëjë të “ri” zyrtarët e Telekomit që u përfshinë në zënkë

Policia insiston t’i bëjë të “ri” zyrtarët e Telekomit që u përfshinë në zënkë

Përleshjen me armë mes zyrtarëve të Telekomit të Kosovës, Policia po e cilëson si “zënkë mes të rinjsh”.

Sipas raportit policor, personat e përfshirë në rast janë të moshës së re.

Insajderi ka siguruar një raport shtesë ku thuhet se dy të përfshirët në rast, Berat Gashi dhe Shaban Ramaj, janë të rritur.

Gazeta Insajderi ka pyetur Policinë se si kanë ardhur te deri konkludimi se ka ndodh një “zënkë mes të rinjsh” dhe deri në çfarë moshe e vlerësojnë një person si të “ri” ky institucion i sigurisë?

“…mosha e tyre specifikohet në bazë të dokumentacioneve të identifikimit”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Insajderin.

Insajderi ka mësuar se Gashi është i lindur më 26 mars të vitit 1987 (32vjeçar), ndërsa Ramaj më 25 shkurt 1981 (38 vjeçar).

Madje si për të insistuar edhe një herë për “zënkën mes të rinjve”, të njëjtit e kanë dërguar sërish raportin e Policisë ku tregojnë se si ka ndodhur i gjithë rasti.

“Rruga ,,Enver Zymberi” Prishtinë, 19.12.2019 rreth orës 23:40 Në një lokal ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri. Njësitet relevante policore  kanë dal në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri tek plagosja ka ardhur pasi një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve.  I plagosuri deklaron se është lënduar aksidentalisht vet-plagosur. Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”./Insajderi.com