Policia jep detaje për arrestimin e Kastriot Shalës dhe Leutrim Latifi – të dyshuar për grabitje të armatosura

Policia jep detaje për arrestimin e Kastriot Shalës dhe Leutrim Latifi – të dyshuar për grabitje të armatosura

Të dyshuarit për grabitje të armatosura në banka dhe kazino rreth dy vite më parë, Kastriot Shala dhe Leutrim Latifi, janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Rastin për Gazetën Online Insajderi, e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se arrestimi i tyre është bërë në orën 09:00 të mëngjesit.

“Sot rreth orës 09:00 nga zyrtarët e stacionit policorë Veriu në Prishtinë, është zbatuar një aktvendim i Gjykatës së Apelit, ku janë arrestuar tre persona, ndaj të cilëve janë marrë të gjitha veprimet konform aktvendimit”, ka thënë Ahmeti.

Insajderi ka mësuar se të arrestuarit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Ditë më parë, këta dy anëtarë të grupit që patën kryer grabitje të shumta në Kosovë, u liruan në procedurë të rregullt, ndërsa sot janë rikthyer sërish në burg.

Kastriot Shala, Leutrim Latifi dhe Ridvan Ademi kërkoheshin nga policia që nga tetori i vitit 2018 për disa raste të grabitjeve.

Ata madje ishin cilësuar nga Policia e Kosovës, si persona me rrezikshmëri të lartë, për çka edhe patën ofruar shpërblime prej pesë mijë euro për ata që ofronin informacione lidhur me vendndodhjen e tyre. /Insajderi.com