Policia e Kosovës njofton se është detyruar që të përdorë armën e zjarrit duke plagosur një person për shkak se i njëjti kishte shtënë me armë dhe kishte plagosur një kalimtar të rastit, përcjell Insajderi.
Plagosja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22:00, në rrugën “B” në Prishtinë.
I dyshuari është R.R., 29 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit i është shqiptuar masa e ndalimit.
“Mbrëmë rreth orës 22:00 kemi pranuar informatën për një gjuajtje me armë në rrugën “B” në Prishtinë. Rastit i janë përgjigjur njësiti policor që gjendej në një pikë kontrolli në afërsi të vendit të ngjarjes.
Pas intervenimit policor edhe përkundër dhënies së urdhrave verbal, njëri nga personat e dyshuar nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarëve policor dhe në vazhdimësi ka shtënë me armë zjarri në drejtime të ndryshme dhe ka plagosur edhe një kalimtar rasti”, thuhet në njoftimin për medie të policisë.
Policia po ashtu bën të ditur se të dyshuarit i është sekuestruar arma e përdorur në rast.
“Personat e lënduar kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme”, thuhet tutje në njoftim.
Hetuesit po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme policore rreth këtij rasti./Insajderi.com
Në përballje me plumbat, policia shpëton jetën e qytetarëve, arrestohet i dyshuari
Prishtinë, 18 shkurt 2021 –…
Posted by Kosovo Police on Thursday, February 18, 2021