
Punëtori i KEDS-it, Veli Spahiu, i cili vdiq të hënën në vendin e punës, dyshohet se ka vdekur si pasojë e goditjes nga energjia elektrike.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar Osman Imsaili, komandant i Policisë në Rahovec.
“Dyshohet se rasti ka ndodhur rreth orës 15 e 30 minuta në fshatin Celinë, komuna e Rahovecit. V.S personi që ka ndërruar jetë, dyshohet se shkaktar i vdekjes të ketë qenë energjia elektrike”, ka thënë Ismaili për Insajderin.
Ismaili, ka thënë se në lidhje me vdekjen e të ndierit do të mësohet nga raporti i ekspertizës. Ai ka treguar se trupi i është kthyer familjarëve ku sot pritët të bëhet varrimi.
“Viktima është nga fshati Zatriq. Tashmë është liruar trupi i tij dhe i është kthyer familjarëve ndërsa varrimi i të ndierit do të bëhet sot”, ka thënë Ismaili.
Veliu punonte prej shumë vitesh si Shkyçës në Departamentin e Operimeve në Distriktin e Gjakovës, përkatësisht në Rahovec./Insajderi.com