Policia e Kosovës bën të ditur se trupat e pajetë që u gjetën gjatë së dielës në rrugën “Ali Vitia” në Prishtinë, janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, përcjell Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar arma e përdorur në rast.
“Rr. Ali Vitia, Prishtinë 14.03.2021-08:59. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës femër kosovare më pas ka qëlluar edhe veten me armë. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet përkatëse policore ndërsa, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e të dyshuarit dhe viktimës. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar arma e përdorur në rast. Me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërkohë, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, të dielën ka deklaruar për Insajderi-n se viktimat janë një grua 44-vjeçare dhe një burrë i po të njëjtës moshë./Insajderi.com