Policia e Kosovës në raportin e saj ka dhënë detaje për përleshjen fizike në mes të Dardan Molliqajt dhe Haki Abazit pas përfundimit të emisionit Pressing në T7.
Në versionin zyrtar të policisë thuhet se Haki Abazi ka raportuar sulmin që ia kanë bërë Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij pas përfundimit të debatit.
“Viktima mashkull K/Shqiptar ka raportuar se pas përfundimit të debatit i cili ishte mbajtë në një televizion, në korridor të objektit të universitetit privat, jashtë studios, ishte sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarit meshkuj K/Shqiptarë të cilët pas sulmit ishin larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raport.
Policia thotë se Haki Abazi ka pësuar lëndime të vogla, por nuk ka pranuar të marrë trajtim mjekësor.
“Si pasojë e sulmit viktima kishte pësuar disa lëndime të vogla dhe nuk ka pranuar të marrë tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, është njoftuar prokurori me vendim të të cilit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Vetëvendosja pas debatit në një deklaratë në Facebook e ka quajtur bandit Dardan Molliqajn.
“Bandat mafioze që kanë kapur shtetin po frikësohen prej ndryshimit që po vjen, prej entuziazmit popullor dhe prej drejtësisë që do të vendoset nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Ata po e shfaqin nervozën e tyre duke shpifur pa u ndalur, e tash edhe duke sulmuar fizikisht. Ata tashmë e kanë traditë sulmin fizik ndaj debatuesve në emisione televizivë. “Publiku nuk e meriton këtë nivel të ulët diskutimi. Kosova nuk e meriton këtë nivel të ulët përfaqësimi. Tash po e kuptojmë se slogani i tyre propagandistik “guxim dhe dije”, po nënkupton që guximin e paskan banditët, a dijen injorantët. Presim nga policia të marrë masa ndaj tyre. I bëjmë thirrje KQZ-së të largojë nga lista këta persona që po ushtrojnë dhunë”, thuhet në deklaratën e VV-së.
Fjalët e Haki Abazit për përleshjen: “Kam qenë duke dalur nga koridori i televizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën përmbrapa dhe u kacafytëm dhe dojshin me m’goditë. Ka hy Rexhep Hoti në mes dhe qashtu njëfarë situate e pakëndshme e kapjes për fyti e qisi senesh. Edhe një goditje në këmbë sdi ka më ka ardhë se ishte një situatë komplet jo e mirë”, kishte thënë Abazi.
Fjalët e Molliqajt për përleshjen: “Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka deklaruar Molliqaj pas incidentit.