Policia ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e dy punëtorëve të kompanisë së sigurimeve ‘Besa Security’, gjatë sulmit të sotëm nga tre persona të dyshuar.
Siç bën të ditur për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Të dyshuarit nuk kanë arritur të kryejnë grabitjen, dhe kanë arritur të ikin nga vendi I ngjarjes.
“Rreth orës 16:45 policia ka marrë informatën për një tentim grabitje të armatosur në rrugën magjistrale Prishtinë -Gjilan. Menjëherë pas informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore”, ka thënë Ahmeti.
“Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se persona të dyshuar në rrethana që aktualisht po trajtohen nga policia, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit që po kryente transportin e parave. Për pasojë dy persona pjesë e kompanisë që po kryente transportin janë plagosur dhe të njejtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, shton ajo.
“Të dyshuarit nuk kanë arritur të kryejn grabitjen por si e tillë ka mbetur në tentativë, dhe të njejtit kane ikur nga vendi i ngjarjes. Policia ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e tyre dhe identifikimin e të implikuarve”, ka përfunduar zëdhënësja e policisë. /Insajderi.com