Policia jep detaje të reja për zhdukjen e 15-vjeçarit në Gjakovë

Policia jep detaje të reja për zhdukjen e 15-vjeçarit në Gjakovë

Policia e Kosovës, në rajonin e Gjakovës, ka dhënë informatat e fundit lidhur me zhdukjen e 15-vjeçarit, Pal Hiseni.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimja – Beqiraj, i ka thënë Insajderit se hetimet janë duke vazhduar.

“Po vazhdojmë me hetime intensive dhe deri në këto momente nuk kemi informacione lidhur me vend ndodhjen e të miturit”, ka thënë Pordimja – Beqiraj.

Pal Hiseni është zhdukur gjatë ditës së djeshme. Ai është djali i asamblistit në komunën e Gjakovës, Nik Hiseni.

Hiseni ka lajmëruar rastin në polici gjatë natës së mbrëmshme, ku ka treguar se nga shtëpia ka dal në orën 12:00 për të shkuar në shkollë mirëpo që i zhdukuri nuk ka shkuar as në mësim.

Ndërsa Bedri Cahani – drejtori i gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë, ka thënë për Insajderin se nxënësi i zhdukur Pal Hiseni nuk ka pasur asnjë problem me nxënësi, por ka qenë shumë i dashur për të gjithë.

“Ky ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm i cili është i regjistruar në klasën e 10-të. Asnjëherë nuk kemi pasur kurrfarë vërejtje apo as më të voglin problem me të. Përkundrazi, ka qenë shumë i dashur me nxënës dhe me të gjithë”, ka thënë për Insajderin drejtori i gjimnazit.