
Policia e Kosovës me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e paralajmëruar siç parashihet me Ligjin mbi tubimet publike, e cila pritet të mbahet nesër (29.09.2018) në Prishtinë, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e protestës, i cili sipas tyre ka për qëllim mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestës.
Policia e ka njoftuar se përmes përfaqësuesve të saj ditë më parë ka realizuar një takim me organizatorët e kësaj proteste, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, e që është qëllim primar i Policisë së Kosovës.
“PK-ja si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe për krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë masat në riorientim të trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia e Kosovës mbështetur në të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.
“Policia e Kosovës do të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, çdo herë duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe çdo herë duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore”, vazhdon njoftimi.