Policia konfirmon ardhjen në Kosovë të dy ministrave serbë  

Policia konfirmon ardhjen në Kosovë të dy ministrave serbë  

Marko Gjuriq dhe ministri i Arsimit i Serbisë, Mladen Sharqevit, janë dy zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë që kanë ardhur në Mitrovicën e Veriut në ditën kur serbët po shënojnë përvjetorin e Betejës së Kosovës.

Por asnjëri nga ministrat serb nuk do të marrin pjesë në ceremonitë fetare në Gazimestan, atje ku po shënohet kjo festë dhe përvjetori i Betejës së Kosovës. Besim Hoti zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës për Insajderin ka thënë se dy ministrat serb kanë hyrë me lejen e Kosovës dhe nuk pritet të shkojnë në Gazimestan.

“Të dy kanë hyrë në Kosovë me leje të lëshuara nga institucionet përkatëse, nën përcjelljen e Policisë ata janë në Mitrovicë sipas agjendës së tyre. Ata do ta vizitojnë Fakultetin Teknik në Mitrovicë, Rektoratin dhe në Qendrën Spitalore, ndërsa për Vidovdan nuk kanë asgjë të përmendur në agjendë”, ka deklaruar Hoti për Insajderin

Ndërsa në Gazimestan afër Prishtinës, pelegrinë serbë janë mbledhur te monumenti që simbolizon “Betejën e Kosovës” të vitit 1389 për ta shënuar festën e tyre fetare, Vidovdanin.

Ata kanë ardhur në mënyrë të organizuar me autobusë ndërsa Policia e Kosovës është duke bërë ruajtjen e rendit për ceremoninë fetare.

Serbë lokalë por edhe nga Serbia po marrin pjesë sot në manifestimin në Gazimestan.

Dje, MPJ bëri të ditur se e ka refuzuar kërkesën e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Aleksandar Vulin, për të marrë pjesë në festimin e Vidovdanit./Insajderi.com