Policia kroate arreston Bashkim Osmanin nën dyshimin se është i përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të kokainës

Policia kroate arreston Bashkim Osmanin nën dyshimin se është i përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të kokainës

Në një operacion, që mediat ndërkombëtare e kanë quajtur gjigant, kundër krimit të organizuar në Evropë, është arrestuar edhe një shqiptar, i njohur si udhëheqësi i Klanit të Hamburgut, Bashkim Osmani, me nofkën Feliksi.

Në operacionin e madh është përfshirë edhe Europoli dhe FBI amerikane.

Osmani akuzohet për trafik të kokainës dhe pastrim parash me aktivitet kriminal në disa shtete të Evropës.

Arrestimi i tij ka ndodhur në Kroaci. Sipas informacioneve të para Osmani është një nga liderët e këtij rrjeti që importon kokainë nga Amerika Latine dhe më pas e shpërndan nëpër shtetet evropiane si Gjermania, Italia, Holanda, Spanja e vende të tjera.

Në kuadër të operacionit mbarë-evropian janë arrestuar 45 persona dhe janë bastisur 80 lokacione, derisa policia është e përqendruar kryesisht në Spanjë dhe në Belgjikë.

Kush është Bashkim Osmani?

29 vjet më parë, gazeta gjermane Hamburger Moregenpost, e njohur si Mopo, ishte gazeta e parë në Gjermani që do shkruante për familjen Osmani.

Për Osmanët më vonë do shkruheshin dhjetëra artikuj të tjerë, që flisnin për pasurimin e madhe dhe të shpejtë të tyre.

Ata vinin nga Kosova dhe ishin vendosur në Kiez të Hamburgut.

Grupi i kësaj familje shpejt do ngjitej në mesin e super të pasurve në Gjermani. Ata, ishin pasuruar aq shumë, sa që kishin shprehur interesim edhe për ndërtimin e stadiumit “Millerntor”, stadium me kapacitet prej 30 mijë ulësesh ku i zhvillon ndeshjet klubi futbollistik “St Pauli”.

Për më tepër, donin të blinin edhe gazetën që i pikasi fillimisht Hamburger Morgenpost, e përditshmja e dytë më e madhe në Hambrug, pas Bild Zeitung.

Tani Bashkim Osmani është në qendër të një hetimi mbarë-evropian të quajtur “Casino Fantauxia Operation”.

Në operacion janë të përfshirë 600 policë, të shpërndarë nëpër Evropë, të cilët po bastisin vendet e dyshimta. Tri nga këto vende janë në Hamburg të Gjermanisë.

Operacioni ka të bëjë me organizatën kriminale që shpërlan para dhe shifra fillestare dyshohet të jetë 30 milionë euro.

Osmani, që kryesisht jeton tash në vilen e tij në Majorka të Spanjës, pas arrestimit në Kroaci do të ekstradohet tek autoritetet spanjolle, prej nga edhe u lëshua fletarrest për të.

Mediat kroate, që e kanë raportuar rastin, kanë publikuar edhe një deklaratë të Osmanit pas arrestimit.

“Kam 30 vjet që legalisht bëj biznes. Kam shtëpi në Majorla, prej nga edhe erdha të shtunën e kaluar, përmes Londrës, Italisë dhe pastaj në Kroaci. Kam biletën kthyese për në Spanjë me 20 shkurt. Nuk është se po ma ndjen, nëse më dorëzojnë para autoriteteve të Spanjës. Nuk kam asgjë të bëjë me këto akuza që po më vishen”, ka deklaruar ai.

Osmani, 56 vjeçar, u arrestua në dhomën e tij të hotelit, në hotel Palazzo në qendër të Porec-it.

Veç Osmanit, sipas gazetës Mallorca Zeitung, janë arrestuar edhe gruaja e tij dhe babai i gruas. Ata janë arrestuar në vilën e familjes, që gjendet në Andratex, komunë në Majorka.

Raportohet se e gjithë familja, përkundër se kanë prejardhje shqiptare nga Kosova, posedojnë pasaportë të Kroacisë. Osmanët njihen për shumë patundshmëri, shtëpi, hotele dhe klube nate.

Veç të tjerave, Bashkim Osmani është edhe pronar i diskotekës së famshme “Pupasch”.

Për familjen Osmani ka shumë versione, sidomos për origjinën e pasurisë së tyre. Qazim Osmani kishte deklaruar se është bërë i pasur përmes bixhozit. Ndërsa Bashkim Osmani në anën tjetër, nëpër intervista të ndryshme kishte thënë se kishin qenë prej kohësh të pasur edhe në Kosovë.

Kjo nuk është hera e parë që Bashkimi ka punë me ligjin.

Në vitin 1999, ai ishte dënuar me 15 muaj burg për një lëndim të shkallës së lart dhe shantazh e kërcënime. Në gjyq ishte thënë se kjo ishte metoda e tij se si e mbledh ai borxhin.

Në vitin 2008, ai dhe vëllai i tij më i madh, Burmi, ishin dënuar me tri vjet e nëntë muaj burgim për një mashtrim milionësh që e kishin bërë me një kredi të marrë nga Volksbank.

Burgun nuk e kishin mbajtur, meqë kishin paguar dorëzani prej 900 mijë euro. Osmani, në seancën e fundit për ta dëgjuar verdiktin, ishte paraqitur në gjykatë me një veturë super të shtrenjtë të tipit “Porsche”.

Siç kishte shkruar gazeta “Bild” në atë kohë, Osmani, kur i ishte dhënë dënimi, ishte ankuar me këtë fjali: “Gjermania të dënon edhe kur bën biznes të mirë”.

Kurse, në vitin 2009, dy kushërinjtë të tij të afërm kishin dalë para gjyqit për kontrabandë me kokainë.

Jeta në Majorka dhe bastisja e shtëpisë në aksionin e fundit

Osmani një pjesë të mirë të vitit e kalon në Majorka. Ai besohet të jetë pronar i “Ritzi Group”, një zinxhir restorantesh, lokalesh, baresh e hotelesh.

Ai gjithashtu ka atje një kompani për zhvillimin e pronave dhe menaxhimin e pasurive të paluajtshme. Ndryshe, sipas njohurive të mëparshme, ai bënte një jetë të padukshme në ishull, duke u shfaqur vetëm herë pas here në publik.

Gjatë bastisjes së fundit janë kontrolluar edhe të gjitha pronat. Sipas gazetës “Diario de Mallorca”, hetuesve iu desh shumë kohë për të plasaritur kasafortën kur kontrolluan vilën. Brenda gjetën sasi të vogla parash, stoli dhe dokumente. Gjetja më e madhe u bë në njërën nga tualetet e shtëpisë – ku kishte mijëra euro të fshehura në disa jastëkë.

Pas ekstradimit, pritët të mblidhen prova të reja dhe të fillojë hetimi për të dhe bashkëpunëtorët e tij./Insajderi.com