Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë ka vazhduar me implementimin e planit të veprimit ‘siguria në shkolla’. Krejt kjo po realizohet në kuadër të angazhimeve dhe qasjes aktive në ofrimin e sigurisë në shkolla.
Qysh në javën e parë zyrtarët policorë janë duke mbajtur ligjërata me nxënës të shkollave fillore me temën ‘Njohuri elementare për sigurinë në trafikun rrugor’, ku kryesisht po përfshihen nxënës të ciklit të ulët.
Përveç ligjëratave teorike në fushën e sigurisë në trafik, nxënësve po u shpërndahen edhe broshura me përmbajtje ilustruese të rregullave primare e elementare për sigurinë në trafik.
Këto ligjërata po zhvillohen nëpër hapësirat shkollore, ku në fazën e parë do të përfshihen shkollat fillore të cilat kanë qasje në rrugë rajonale dhe magjistrale.
Këto ligjërata kanë për synim të plotësojnë nxënësit me njohuri shtesë dhe të domosdoshme në fushën e rregullave primare të sigurisë në trafik.
Angazhimet policore për ofrimin e sigurisë si dhe lëmin e këshillimit, edukimit dhe aktiviteteve tjera do të jenë të vazhdueshme përgjatë tërë vitit shkollor, ka njoftuar policia e rajonit të Mitrovicës./Insajderi.com